Ka filluar implementimi i pilot projektit të UKZ-së një apo më shumë mësues për ciklin fillor

12 Shtator, 2018

Që nga 3 shtatori 2018, kur edhe ka filluar viti i ri shkollor,  ka  nis realizimi i pilot projekti  “Një apo më shumë mësues për ciklin fillor”,  nismë kjo e Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan, mbështetur nga GIZ  dhe Komuna e Gjilanit, respektivisht Drejtoria për Arsim, e cila tashmë ka filluar implementimin e këtij pilot projektit për klasët e treta, katërta dhe të pesta në Shkollën e Fillore “Selami Hallaqi”.

Për të parë punën  e ecurisë së pilot projektit, nga klasa e tretë deri në të pestën,  drejtues të UKZ, përfaqësues të GIZ, përfaqësues të Komunës së Gjilanit dhe udhëheqës të shkollës fillor “Selami Hallaqi” bashkë me mësimëdhësit, ku secili mësimdhënës është përgjegjës për një lëndë mësimore , kanë mbajtur sot një takim të përbashkët në shkollën përkatëse.

Në fjalën e tij drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, Nazim  Gagica, ka thënë se ky pilot projekt është në bashkëpunim me Universitetin “Kadri Zeka”, me GIZ-in, Drejtorinë e Arsimit dhe me mbështetje të fuqishme të kryetarit të Komunës së Gjilanit.

Gagica ka potencuar pritjet që do të jenë nga ky pilot projekt, derisa ka shpresuar në suksese të dukshme gjithnjë në favor të cilësisë në arsim, por dhe njëkohësisht,  edhe të përgjegjësisë më të madhe dhe mundësisë e të nxënit në një nivel më të lartë.

“Falënderoj fillimisht prindërit dhe mësimdhënësit për gatishmërinë që të nisim me këtë pilot projekt. Është një punë e madhe që do të bëhet në këtë fushë dhe gjithësesi mbështetja e universitetit do të jetë e domosdoshme për të ndërtuar këtë projekt në kuadër të ngritjes së cilësisë në arsim. E kemi filluar me shkollën “Selami Hallaqi”, por në planin e vitit të ardhshëm sigurisht që do të ketë edhe shtrirje të këtij formati edhe në shkollat tjera. Mbështetja e kryetarit Haziri është një shtytje për ne që të punojmë edhe më shumë që këto rezultate të jenë edhe më të mëdha. Lus të gjithë mësimdhënësit që të bëjnë maksimumin e tyre, sepse janë krijuar mundësitë që të kenë fokusin e qartë në një lëndë mësimore, që krijon hapësirë për suksese më të mëdha, për nxënie më kualitative dhe për zhvillim të shkathtësive të nxënësve njëkohësisht”, ka thënë ai mes tjerash.

Dukagjin Leka, Prorektor për Bashkëpunim Ndërkombëtar, në Universitetin “Kadri Zeka”,  në emër  të Rektorit Bajram Kosumi ka uruar  të gjithë për fillimin e implementimit të Pilot Projektit, derisa  ka thënë se universiteti do të jetë vazhdimisht i kyqur edhe në shkollimin fillor, përmes formave të ndryshme, qoftë të këshillimeve, propozimeve, mbështetjes profesionale, në mënyrë që të zhvillohen reformat që bëjnë ndryshime dhe ndikojnë direkt në rritjen e cilësisë dhe sukseseve të nxënësve.

Dekani i Fakultetit të Edukimit të UKZ-së Jonuz Dervodeli, nga ana e tij ka potencuar faktin se angazhimi i më shumë mësimdhënësve është një profesionalizëm më i lartë dhe njëkohësisht edhe zhvillim i qëndrueshëm i fëmijëve në moshën e hershme të tyre. Siç ka thënë ai në aspektin e nxënies së diturive me këtë model të përfshirjes së më shumë mësimdhënësve, mund të arrihen rezultate që do të shihen gjatë të ardhmes.

Kurse përfaqësuesja e GiZ-it Rrezarta Zhinipotoku, ka thënë se organizata që ajo përfaqëson ka gatishmëri të madhe që të mbështes këto iniciativa në të cilat janë të përfshirë nivel i gjerë institucional për zhvillim të arsimit dhe ngritje të cilësisë në përgjithësi.

Drejtori i shkollës Florim Maloku dhe mësimdhënësit në përgjithësi ishin të vendosur që këtë praktikë të re e cila është ende pilot projekt ta shndërrojnë në një sukses që do të merret model për shkollat e Gjilanit dhe gjithë Kosovës.

Implementimit të pilot projektit  që ka për qëllim ngritjen e cilësisë të këtij niveli të arsimit, i kanë paraprirë organizimi i tryezave debatuese nga UKZ, diskutimet të ndryshme, janë bërë  hulumtime dhe njëherësh janë konsultu ekspertë të fushave përkatëse .