Studentët gjilanas shoqërues të studentëve zviceran në vizitën e tyre studimore

10 Tetor, 2018

Rektori i Universitetit “Kadri Zeka”  në Gjilan bashkë me drejtues tjerë  të Universitetit, ka pritur në një takim disa student të Universitetit Zug të Zvicrës, të cilët janë duke qëndruar në UKZ për një vizitë studimore.

Rektori Bajram Kosumi pasi u ka dëshiruar mirëseardhje studentëve mysafir, i ka  njoftuar rreth aktiviteteve, punës dhe zhvillimeve tjera në Universitet.

Ai ka theksuar se studentet në këtë mënyrë të vizitave, përfitojnë përvoja të rëndësishme dhe do të kenë mundësi të zhvillojnë një sërë aktivitetesh, andaj ka ftuar që të shfrytëzojnë sa më shumë këtë eksperiencë studentore.

Më pas studentët zviceran kanë zhvilluar një takim me Dekanin e Fakultetit të Edukimit Jonuz Dervodeli , i cili ka folur rreth fushës së edukimit dhe mësimdhënies edukative. Kurse Prodekani Bashkim Dalipi përmes projektorit ka prezantuar të arriturat e Fakultetit të Edukimit. Ndërsa disa student të Fakultetit të Edukimit në UKZ të cilët njëherësh janë edhe shoqërues të studentëve zviceran në çdo organizim, kanë zhvilluar punëtorinë e përbashkët me temë “Karakteristikat e sistemit arsimor I-V”.

Gjithashtu, studentët zviceran kanë vizituar Komunën e Gjilanit ku janë pritur nga Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, i cili i ka informuar ata për historikun e Gjilanit, traditat, bashkëjetesën mes komuniteteve, sistemin politik, dhe për sfidat e prioritetet që ka Gjilani dhe Kosova në përgjithësi.

Kryetari Haziri ka thënë me këtë rast diversitetit etnik dhe fetar që mbizotëron në Gjilan, vlerësohet si vlerë.

Ndërkohë, studentët e pranishëm kanë shtruar pyetje lidhur me liberalizimin e vizave, sistemin elektorat, zhvillimin ekonomik etj., duke marrë kështu përgjigje të drejtpërdrejta nga kreu i Gjilanit.

Po ashtu, studentët kanë pasur edhe një vizitë në Shkollën Fillore “Musa Zajmi”, ku janë takuar me drejtorin Ramadan Dërmaku dhe mësimdhënësit e kësaj shkolle. Aty studentët kanë pasur rastin të shohin  konkretisht se si zhvillohet procesi mësimor.