Rektori Bajram Kosumi takoi përfaqësuesit studentor të Universitetit “Kadri Zeka”

2 Nëntor, 2017

Rektori i Universitetit të Gjilanit “Kadri Zeka”, Prof.Asoc. Dr. Bajram Kosumi, ka takuar përfaqësuesit e studentëve të Parlamentit Studentor  dhe përfaqësuesit e Këshillave të Studentëve nëpër fakultete. Fillimisht Rektori Kosumi i ka uruar studentët për marrjen e mandatit të ri, ne muajin tetor,  pas zgjedhjeve studentore që janë mbajtur në UKZ. Ai ka thënë se studentët janë arsyeja pse  ekziston universiteti, ndërkohë që ka  shtuar se të gjithë duhet të punojnë që të kemi një Universitet të zhvilluar në të gjitha aspektet, me qëllim që të kemi  edhe më shumë cilësi.

Rektori Bajram Kosumi  pasi informoi studentët për gjithë punën që ka bërë dhe po bën menaxhmenti i UKZ-së, ka thënë se nga kjo strukturë e re dhe nga gjithë studentët , pret që të mësojnë sa më mirë, të krijojnë frymë të re në Universitet, të krijojnë raporte të mira me profesorët dhe të jenë urë lidhëse mes menaxhmentit dhe studentëve.

Ndërkaq, Kryetari i Parlamentit Studentor të UKZ-së, Adrian Bajrami  dhe pjesëmarrësit tjerë në takim me Rektorin, kanë bashkëbiseduar rreth zhvillimeve në Universitet, mbarëvajtjes së procesit mësimor, kërkesave  të studentëve dhe mundësisë së ngritjes së cilësisë.

Rektori Kosumi theksoi se,  do të angazhohet për kushte më të mira për studentët dhe se do të jetë I hapur dhe  bashkëbisedues për çdo kërkesë që do të adresohet për të mirën e studentëve dhe Universitetit. Ai përgëzoi studentët për kërkesat parimore dhe përparimtare duke ju thënë se njëherësh është i kënaqur me frymën e punës për cilësi që mbretëron në UKZ.

Rektori Kosumi ka porositur studentët që gjithmonë si model të marrin punën e mire  e assesi të keqen dhe kështu të provojnë  me e kriju identitetin  e ri të studentit në Kosovë.

Ju duhet të jeni vetvetja. Mos pranoni kurrë me u bë vegël e dikujt, u ka thënë studentëve, Rektori i Universitetit “Kadri Zeka”, Prof. Asoc. Dr. Bajram Kosumi.