Universiteti “Kadri Zeka” dhe Shoqata Kulturore “Dom Mikel Tarabulluzi” nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi

8 Shtator, 2017

Universiteti “Kadri Zeka” dhe Shoqata Kulturore “Dom Mikel Tarabulluzi” nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi
Rektori i Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan Bajram Kosumi dhe Dom Jeton Thaqi, Kryetar i Shoqatës Kulturore Shkencore “Dom Mikel Tarabulluzi” nga Stublla, kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi.
Qëllimi i kësaj marrëveshje është bashkëpunimi profesional për organizimin e manifestimit tradicional kulturor, letrar e shkencor “Takimet e Dom Mikelit”, që do mbahet më 23 shtator 2017, në fshatin, Stubëll, Komuna e Vitisë.
Ky organizim do të jetë i përbashkët, në mes Shoqatës Kulturore Shkencore “Dom Mikel Tarabulluzi” nga Stublla dhe Universitetit “Kadri Zeka” Gjilan dhe do të bëhet në shenjë të 135 vjetorit të lindjes dhe 52 vjetorit të vdekjes së Fan Nolit, ku temë boshte në akademinë shkencore të manifestimit do jetë: “Pesë anarkitë e Nolit në kontekstin e sotëm të shoqërisë sonë”.
Po ashtu ky bashkëpunim do të shtrihet edhe në fusha të tjera me interes për të dy palët, si: organizimi i tryezave të përbashkëta debatuese, organizimi i konferencave të përbashkëta, si dhe bashkëpunime të tjera të cilat mund të ndërlidhen me tema që kanë të bëjnë me edukimin, kulturën, shoqërinë, etj.