Universiteti “Kadri Zeka” shkëmben profesorë me universitetet Evropiane

29 Gusht, 2017

Në kuadër të programit evropian ERASMUS Mundus, si pjesë aktiviteteve të projektit “GreenTech: Smart & Green Technologies for Innovative and Sustainable Societies in WB”, prof. Elena Fatima Perez Carrillo po qëndron në Universitetin ”Kadri Zeka”. Ajo është pritur  nga Dekani i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike Xhevdet Thaqi.

Një nga aktivitetet kryesore të Prof. Elena Perez Carrillo, është të përkrahë organizimin dhe fillimin me sukses të studimeve të programit Master e-qeverisja, bazuar në metodologji, dhe standarde evropiane.

Prof. Elena Fatima Perez Carrillo, vjen nga Universiteti i Leonit në Spanjë, në kuadër të këmbimit të stafit  akademik ndërmjet Universiteteve Evropiane dhe Universitetit  ”Kadri  Zeka” në Gjilan, e që ka për qëllim të thellimin e  bashkëpunimit ndërmjet universiteteve tona dhe organizimit të studimeve në UKZ në nivel evropian.

Përveç  përkrahjes në programin master e-qeverisja, prof. Elena Perez do të zhvillojë aktivitete tjera të rëndësishme për UKZ. Një nga kontributet e rëndësishme për zhvillimin e hulumtimeve shkencore do të jetë edhe themelimi i Qendrës Informuese Evropiane të Dokumentacionit në UKZ (European Documentation Centre or similar University located EU information Centre).

Ndryshe këtë vit akademik 5 studentë nga UKZ kanë përfituar grante për studime njëvjeçare në Universitet Evropiane, në kuadër të projektit ”GreenTechWB”, kurse  ne  kuadër të programit “Erasmus Mundus GREEN TECH WB’’, në muajin qershor të vitit 2016, Prof. Asoc. Dr. Xhevdet Thaqi pati përfituar si staf akademik për të qëndruar një muaj në Universitetin e Vigos të Spanjës,  me qëllim të shkëmbimit  të përvojave akademike universitare.