Fjala e Rektorit

Të nderuar vizitorë të ueb faqes së Universitetit “Kadri Zeka” Gjilan,

Duke ndarë kohën tuaj të çmueshme për Universitetin tonë, do të kuptoni besimin dhe shpresat e studentëve, profesorëve, asistentëve dhe të administratës së UKZ për të krijuar një universitet të ri, modern, cilësor dhe të pajtueshëm me trgun e punës.

Ne jemi universitet i ri, por kjo na ofron mundësinë që universitetin tonë ta orientojmë drejt qëllimeve të reja, me strategji e metoda të reja, në mënyrë që studenti i UKZ, me diplomën e tij, të jetë i barabartë me studentët e tjerë në vend, në rajon dhe në hapësirën europiane.

Universiteti është një mundësi e madhe për shoqërinë, me kusht që aty të kultivohet mendja e hapur e studentëve, të kultivohet mendimi kritik dhe të nxitet hulumtimi shkencor. Vetëm me këtë qasje studentët tanë mund t’ia kthejnë borxhin shoqërisë, atdheut dhe mbarë botës: përmirësimin e mirëqenies sociale, zhvillimin ekonomik si dhe promovimin e garës duke respektuar konkurrencën. Vetëm me këtë qasje Universiteti ynë mund ta luajë rolin e dritares dhe të portës së shoqërisë: një dritare e hapur për të parë më shumë dhe një portë e hapur për të komunikuar më shumë dhe të barabartë me botën. Vetë fjala universitet e ka këtë kuptim.

Shoqëria jonë, sikur shoqëritë tjera në tranzicion, vuan nga shpërputhja midis mësimeve akademike që ofrojnë universitetet dhe kërkesave të tregut të punës për universitetet. Ne synojmë që UKZ ta bëjmë kompatibil me tregun e punës, duke pasur parasysh resurset kosovaredhe kërkesat e tregut global.

Kosova një ditë gjithësesi do të jetë pjesë e Bashkimit Europian. Me të hyrë në trgun europian, studenti i UKZ e ka në konkurrencë studentin europian, si për vendin e punës, si për hulumtime shkencore dhe për çdo aspekt tjetër akademik. Mënyra e vetme për ta përballuar këtë konkurrencë është ngritja e cilësisë së mësimit në Universitet dhe hapja e mundësive për hulumtime.

Universiteti ynë e sheh si çështje parësore bashkëpunimin me hisedarët e arsimit akademik, duke nisur që nga institucionet profesionale, grupet shoqërore e deri edhe te shoqëria civile. Vetëm mbi një komunikim të rregullt për kërkesat e shoqërisë dhe mundësitë e saja në mund të projektojmë programet tona studimore.

Universiteti ynë e sheh si çështje shumë të rëndësishme edhe bashkëpunimin me universitetet e tjera, vendore, rajonale dhe ndërkombëtare. Mobiliteti i studentëve është shumë i frytshëm jo vetëm për studentët por edhe për vetë UKZ. Komunikimi i traditave, i kulturave, i ideve, i hulumtimeve dhe i prirjeve të tjera akademike është në frymën dhe në shpirtin e Universitetit tanë.

Uuniversiteti ynë e sheh si begati strukturën multi-kulturore të shoqërisë sonë, si dhe multikulturalizmin e shoqërive përreth Republikës së Kosovës. Prandaj, ne e shohim të rëndësishëm bashkëpunimin me të gjitha këto struktura sociale dhe orientimin e programeve studimore në këto kahe.

Për të mbërrirë këto qëllime, UKZ duhet të krijojë dhe ta ketë gjithnjë një staf akademik të aftë dhe një administratë efektive. Ne jemi të hapur dhe kërkues për secilin person akademik, i cili mund të sjellë risi në UKZ, në cilëndo fushë akademike dhe në cilindo aspekt akademik.

Ne po synojmë një universitet të ri-për një shoqëri të re.

Na priftë e mbara të gjithëve!

Pof. Asoc. Dr. Bajram Kosumi