Ambasada e Francës dhe Qeveria e Kosovës, thirrje për bursa në Francë

Prill 30, 2019

Ambasada e Francës në Kosovë si dhe Qeveria e Kosovës në bashkëfinancim me Francën kanë hapur thirrjen për aplikim në bursa universitare në Francë.

Bursat ofrohen për studentët e nivelit Master dhe Doktoratë, për vitin akademik 2019/2020.

Ambasada franceze ka bërë të ditur se dosjen për aplikim duhet dërguar tek ‘Departamenti për bashkëpunim dhe veprimtari kulturore’.

Në njoftim thuhet se kjo dosje e aplikimit duhet të përmbajë një CV, letrën motivuese, kopjen e diplomës së fundit me transkriptin e notave, si dhe dëshminë e të qenit në kontakt apo pararegjistrimin në një universitet francez (dhe në rastin e tezës së Doktoratës dëshminë nga dy profesorë, mentorë të ardhshëm të tezës së doktoratës).

“Dosja juaj mund të përmbajë poashtu një letër rekomandimi nga një nga profesorët ose nga shefi i departamentit. Perparësi kanë dosjet e studentëve të cilët kanë njohuri në gjuhë frënge të nivelit B1 /B2 ose shfaqin interes për mësimin e gjuhës frënge.”, thuhet në njoftim.

Tutje është bërë e ditur se afati i fundit për dorëzimin e dosjeve është data 15 maj e këtij viti dhe se juria do të shqyrtojë dosjet nga 20 deri më 24 maj 2019.

“Kandidatët e përzgjedhur do të ftohen për intervistë në Ambasadën e Francës nga data 27 deri më 31 maj 2019 dhe rezultatet përfundimtare do të publikohen më 3 qershor 2019.”

Edhe për bursat e bashkëfinancuara nga Qeveria e Kosovës dhe e Francës vlen i njëjti dokumentacion dhe afat kohor.

“Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Repblikës së Kosovës dhe Ambasada e Francës në Kosovë ofrojnë bursa të nivelit Master për studentë kosovarë që dëshirojnë të studiojnë në një universitete franceze, për vitin akademik 2019-2020.”, thuhet tutje.

Ndërsa, dosjet për bursat e bashkëfinancuara, do të shqyrtohen nga një juri e përbashkët nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Ambasada e Francës në Kosovë.

Appel_Bourses.2019.FR

Appel_Bourses.2019.SHQIP