Anëtarët e Komisionit për Arsim vizituan Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan

Shkurt 24, 2015

Drejtuesit e Universitetit  “Kadri Zeka” në Gjilan, kanë pritur  në takim pune anëtarët e Komisionit të Kuvendit të Kosovës për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport. Në takim u bisedua për situatën dhe sfidat e Universitetit.

Naim Syla, u.d. rektori i Universitetit “Kadri Zeka”, fillimisht ka njoftuar  anëtarët e komisionit parlamentar për organizimin, punën,  funksionimin dhe për ecurinë e punës në Universitet që nga themelimi e deri më tani . “Duke qenë se jemi universiteti më i ri në vend, mund të themi se përkundër sfidave kemi arritur të konsolidohemi mjaft mirë. Tradita akademike në Gjilan e ka bërë të veten dhe kjo na ka ndihmuar mjaft në këtë drejtim”.

Ai përmendi se në kuadër të Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan janë 16 profesorë dhe asistentë  të rregullt, që paraqesin një brumë të rëndësishëm për të ardhmen e këtij universiteti. “Kapacitetet humane që kemi janë premtuese për një të ardhme të suksesshme të universitetit tonë”, tha u.d. rektori Syla, ndërkohë që ka shtuar se tani jemi në fazën e përgatitjeve të zgjedhjeve të rregullta universitare.

Si sfidë  u. d. Rektori Naim Syla, ceku mungesën e hapësirës së mjaftueshme. Ai tha se një kërkesë  për ndërtimin e një objekti universitar i është drejtuar edhe Ministrit të Arsimit, sepse siç tha u.d. rektori Naim Syla, kampusi është shumë i  nevojshëm  në mënyrë që  të krijohen kushte komode për punë.

Në anën tjetër, kryetari i Komisionit të Kuvendit të Kosovës për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport  Nait Hasani së bashku me anëtarët e tjerë në përbërje të Salih Morina, Shpetim Bulliqi, Ismail Kurteshi,  Shukrije Bytyqi , u zotuan se do t’i përcjellin shqetësimet e drejtuesve të Universitetit “Kadri Zeka”, tek ministri dhe në kuvend. Ata gjithashtu folën edhe për hartimin e Draft Ligjit për Arsimin e Lartë dhe kërkuan që drejtuesit e Universitetit të kyçen në këtë proces  në mënyrë që të nxirret një ligj sa më i mirë.

 

par2