Angazhimi i studentëve në proceset e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë në Kosovë

31 Maj, 2022

Agjencia e Kosovës për Akreditim në bashkëpunim me eksperten Anca Prisacariu priti në takim përfaqësues të Institucioneve të arsimit të lartë për të diskutuar për Udhëzuesin për angazhim të studentëve në proceset e sigurimit të brendshëm dhe të jashtëm të cilësisë në Arsimin e Lartë në Kosovë. Nga Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan në takim morën pjesë Kryetarja e Parlamentit Studentor Sara Keqmezi dhe Senatorja Leurina Guda. Qëllimi i këtij projekti është rritja e vetëdijes së studentëve për rëndësinë e përfshirjes së tyre në proceset e brendshme të sigurimit të cilësisë dhe inkurajimi i IAL-ve në përkrahjen e tyre.

Me financimin e U.S. Embassy Pristina, Kosovo dhe mbështetjen e KUSA, Agjencia e Kosovës për Akreditim organizoi dy ditë radhazi eventin për të prezantuar Udhëzuesin për Përfshirje të Studentëve në kuadër të projektit “Rritja e Përfshirjes së Studentëve në Procedurat e Sigurimit të Cilësisë në arsimin e lartë”. Brenda dy ditëve, ekspertja ndërkombëtare e projektit znj. Anca Prisacariu prezantoi parimet si dhe mënyrat se si mund të rritet pjesëmarrja dhe angazhimi i studentëve në proceset e sigurimit të brendshëm të cilësisë, në udhëheqjen dhe menaxhimin e IAL-ve, si dhe në procedurat e vlerësimit të jashtëm. Krahas ekspertes ndërkombëtare, 5 përfaqësues të studentëve nga shtete të ndryshme evropiane, përfshirë përfaqësues të organizatës studentore në nivelin evropian ESU, mbajtën prezantime para studentëve të Kosovës. Këto prezantime u realizuan me qëllim të ndërtimit të kapaciteteve të studentëve vendor dhe inkurajimin e tyre për të shtyrë përpara agjenda të rëndësishme të përmirësimit të cilësisë së arsimit të lartë nga perspektiva e studentit.