ASHI do ti dhurojë UKZ laborator për punë praktike në rrjetat kompjuterike

Korrik 4, 2019

Rektori i Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, Prof. Asoc. Dr. Bajram Kosumi ka pritur në takim Drejtorin e Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit, Kujtim Gashi.

Rektori Kosumi e ka njoftuar Drejtorin Gashi rreth zhvillimeve në Universitet, me theks të veçantë rreth funksionimit të Fakultetit të Shkencave Kompjuterike, respektivisht aktiviteteve që zhvillojnë  stafi akademik bashke me studentët.

Nga ana e tij Drejtori Gashi ka thënë se, Universitetit “Kadri Zeka” do të ti jepet një laborator-kabinet, që përmban të gjitha   pajisjet e nevojshme për rrjetat kompjuterike për të bërë testime dhe punë praktike në fushën e rrjetave kompjuterike.

Ndërkohë Rektori Bajram Kosumi ka falënderuar drejtorin Kutjim Gashi për këtë gatishmëri, duke e vlerësuar mjaft të rëndësishme për gjithë Universitetin.

Ky laborator do të jetë një mundësi e mirë për zhvillimin praktik të mësimeve teorike qe marrin studentet gjatë periudhës së studimeve, për çështjet e rrjetave kompjuterike, në mënyrë që stafi akademik dhe studentët të kryejnë dhe zhvillojnë veprimtari hulumtuese praktike sa i përket fushës së Shkencave Kompjuterike. Laboratori do të  përmbajë te gjitha pajisjet e nevojshme të cilat përputhen me gamën e kësaj fushe studimi dhe është  i posaçëm për veprimtari të cilat janë të ndërlidhura me Internetin,  me përcaktimin e rrjetave kompjuterike dhe me qartësimin e funksionit të rrjetave kompjuterike në praktikë.