Një delegacion i UKZ-së po qëndron në vizitë zyrtare në Zvicër

18 Dhjetor, 2019

Një delegacioni i Universitetit “Kadri Zeka”, në përbërje të Rektorit, Prof. Asoc. Dr. Bajram Kosumi, Prorektorit për Bashkëpunim Ndërkombëtar Prof. Ass. Dr. Dukagjin Leka, zyrtarja për marrëdhënie me jashtë z. Luljete Berisha dhe 17 studentët e Universitetit tonë, kanë filluar të hënën vizitën zyrtare në Universitetin  Zug të Zvicrës.

Delegacioni i UKZ-së së bashku me studentët, janë pritur në një takim nga Prof. Dr. Esther Kamm, Rektore e Universitetit ZUG, e cila ka falënderuar studentët e UKZ-së që kanë pranuar të qëndrojnë për vizitë studimore në Universitetin ZUG . Kurse nga ana e tij Rektori Kosumi ka falënderuar Rektoren Kamm për pritjen, duke thënë se studentët janë urë lidhëse e bashkëpunimit mes dy institucioneve.

Foto:Drejtuesit dhe studentët e UKZ-së në ZUG

Të dy Rektorët e vlerësuan shumë të rëndësishme mobilitetin e studentëve të Universiteteve që drejtojnë, ku sipas tyre, së bashku ata kanë mundësi që nga njëri tjetri të marrin përvoja të reja studimore, por njëherësh mund të mësojnë më shumë edhe për gjuhën, kulturën dhe traditën e shqiptarëve, respektivisht zviceranëve. Ndërkaq në vizitën e tyre studimore, studentët e Universitetit tonë të shoqëruar edhe nga studentët e Universitetit ZUG, gjatë qëndrimit të tyre një javor në Zvicër, po mbajnë aktivitete të përbashkëta, takime e vizita në Komunë, gjithashtu ata po shohin nga afër mënyrën e mësimdhënies dhe mësimnxënies në Universitetin ZUG nëpër disa shkolla atje, kanë pasur takime me menaxhmentin dhe profesorët e Universitetit ZUG, si dhe vizita të tjera në qytet. Studentët si: Erza, Gresa, Mërgimi, Endriti, shprehen të kënaqur me vizitën në Zug, derisa thonë se sa i përket procesit mësimor, UKZ  nuk e dallon shumë nga  Universiteti ZUG. Ndër aktivitetet tjera që do të zhvillohen janë paraparë edhe dy seminare, njëri për robotikë ndërsa tjetri për perspektivat e migracionit.

Foto:Studentët E UKZ-së në ZUG

Në kuadër të vizitës në Zvicer,Rektori Prof. Asoc. Dr. Bajram Kosumi ka nënshkruar marrëveshje të re bashkëpunimi me Prof. Dr. Esther Kamm, Rektore e Universitetit ZUG.

Foto: Rektori Kosumi dhe Rektorja Esther

Sipas Rektorëve,nga marrëveshja e nënshkruara do të përfitojnë të dyja palët, dhe se kjo, do të kontribuojë zhvillimit të të dy Universiteteve.Rektori Kosumi dhe Kamm, janë shprehur të lumtur për marrëveshjet e arritura, sepse sipas tyre, ato i japin kuptim marrëdhënieve përmbajtjesore në mes të dy shteteve, respektivisht mes dy Universiteteve. Sipas marrëveshjes në fjalë Universiteti “Kadri Zeka” dhe Universiteti Zug do të bashkëpunojnë mes vete edhe për pesë vitete e ardhshme. Ndryshe UKZ dhe Universiteti ZUG edhe në vitin 2017, kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi.

Gjithashtu drejtuesit e Universitetit ‘’Kadri Zeka’’ janë pritur në takim edhe nga Kryetari i qytetit të Zug-ut,  Karl Kobelt, i cili njëherësh ka paraqitur para studentëve një prezantim të komunës që ai drejton. Studentët e UKZ kanë shprehur interesimet e tyre rreth sistemit arsimor në Zug, mundësit e shkollimit, si dhe jetës në përgjithësi.