Drejtuesit e HERAS kanë prezantuar Raportin e Vlerësimit për UKZ-në

14 Tetor, 2021

HERAS ka prezantuar Raportin e Vlerësimit për Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan para menaxhmentit dhe stafit akademik të universitetit.

Në fjalën e tij  Rektori, Prof. Dr. Bajram Kosumi, ka falënderuar drejtuesit e HERAS për mbështetjen e vazhdueshme në zhvillimin e UKZ-së dhe arsimit të lartë në të gjithë Kosovën. Ai  ka thënë se projektet e HERAS-it janë të rëndësishme për zhvillimin e arsimit të lartë në vend dhe në këtë kontekst për universitetin tonë për të ngritur nivelin e punës akademike.

Rektori Prof. Dr. Bajram Kosumi, tha se po ashtu e vlerësojmë Raportin  e Vlerësimit që është përgatitur për UKZ-në.

Ndërsa Aqim Emurli, Udhëheqës i Projektit HERAS Plus vlerësoi angazhimin dhe punën e mirë që është bërë në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, duke thënë se UKZ është në rrugë të mbarë të zhvillimit dhe arritjes së standardeve që e bëjnë një institucion kredibil akademik.

Ai tha se Vlerësimet dhe Raportet e HERAS, janë një kontribut modest, në drejtimin e duhur  për të avancuar sistemin e përgjithshëm të arsimit të lartë dhe kërkimit në Kosovë, në mënyrë që të bëhet më i qeverisur, më ndërkombëtar, efektiv dhe efikas.

Prezantimin e  Raportit BA, Metodologjitë, të gjeturat dhe rekomandimet i ka paraqitur  Bujar Gallopeni, ekspert në Projektin HERAS Plus.

Ndërsa, prorektori për Bashkëpunim  Ndërkombëtar Prof. Asoc. Dr. Dukagjin Leka  tha se raporti është një përmbledhje e zhvillimit institucional të UKZ-së dhe përveç kësaj, jep rekomandime të vlefshme për përparim. Ai po ashtu ka paraqitur fushat e bashkëpunimit ndërmjet Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan dhe Projektit HERAS Plus përmes instrumentit “Earmarked Funds”.

Në fund rektori Prof. Dr. Bajram Kosumi dhe udhëheqësi i projektit HERAS, Aqim Emurli, kanë nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi duke vendosur kështu kuadrin për një bashkëpunim të strukturuar mirë.