Është mbajtur konferenca shkencore ndërkombëtare “Marrëdhëniet e popullit shqiptar me Austro-Hungarinë nga shekullit XIX e deri në ditët tona”

9 Shtator, 2016

Është mbajtur konferenca shkencore ndërkombëtare “Marrëdhëniet e popullit shqiptar me Austro-Hungarinë (Austrinë) nga shek. XIX e deri në ditët tona”. Kjo konferencë është arritur si rezultat i bashkëpunimit mes Universitetit “Kadri Zeka”,  UBT-së, Universitetit  “Hasan Prishtina”,  Institutit për Studime Politike dhe Ndërkombëtare me seli në Shkup, si dhe me Shtëpinë botuese “LogosA”, Shkup.

Punimet e Konferencës i  ka përshëndetur fillimisht, Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës Enver Hoxhaj,  Ambasadori  i  Republikës së Austrisë në Kosovë Gernot Pfandler, Rektori  i  Universitetit “Kadri Zeka”, Bajram Kosumi,  Rektori i UBT-së Edmond  Hajrizi dhe Bujar Dugolli, dekan i Fakultetit Filozofik në  UP.

Në fjalën e tij Rektori Bajram Kosumi ka thënë se kjo konferencë është e rëndësishme sepse trajton marrëdhëniet austro hungareze-shqiptare në tri aspekte:

  1. Roli i Austro-Hungarisë në krijimin e shtetit shqiptar më 1912, është themeltar, pak a shumë i ngjashëm me rolin e SHBA-ve në krijimin e shtetit të Kosovës;
  2. Roli dijetarëve dhe shkencëtarëve të arealit gjermanofon në krijimin e asaj që quhet “shkencat albanologjike” është vendimtar: me të drejtë, etërit e studimeve albanologjike vlerësohen këta dijetar;
  3. Universiteti “KadriZeka” në Gjilan është bashkorganizator i kësaj konference me qëllim që konferenca të mos kuptohet vetëm si një histori, por t ë provojmë që nga dijet tona për të kaluarën, nga marrëdhëniet tona politike në të kaluarën, të trasojmë edhe rrugën gjeo-strategjike për Kosovën, Shqipërinë dhe shqiptarët në përgjithësi.

Gjatë kësaj konference është folur edhe për kontributin dhe rolin e Perandorisë Austro-Hungareze në zhvillimin e arsimit dhe kulturës tek shqiptarët, që nga mesi i shek. XIX, deri në rënien e saj. Krahas kësaj, fokusi i konferencës është përqendruar edhe tek roli i kësaj perandorie në proceset politike për çështjen shqiptare, si dhe për zhvillimet tjera politike në Ballkan.