Është mbajtur ligjërata rreth  vlerësimit objektiv dhe pandershmërisë akademike

13 Maj, 2016

Në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan në kuadër të programit “Guest Speaker”  ka mbajtur ligjëratë  Prof.Dr. Adem Tamo nga Shqipëria,  me temën: “Vlerësimi objektiv dhe pandershmëria akademike – kopjimi”. Fillimisht Shpresë Qamili prorektor  për Mësim, Kërkime Shkencore dhe Çështje të Studentëve, pasi ka përshëndetur  Prof. Dr.  Adem Tamo,  ka falënderuar atë për gatishmërinë për mbajtjen e ligjëratës para stafit akademik dhe studentëve të Universitetit tonë.

Ndërkaq në  ligjëratën e tij me temën: “Vlerësimi objektiv dhe pandershmëria akademike – kopjimi”.  Prof.Dr. Adem Tamo ka thënë se stafi akademik duhet te promovojë interes në të mirë të Universitetit gjithnjë duke punuar  me  parime të korrektësisë, ndershmërisë, mirësjelljes, vullnetit te mire, bashkëpunimit, moralit të  lartë dhe objektivitetit, me qëllim që vlerësimi karshi studentëve të jetë në nivelin e duhur. Sipas profesor Adem Tamo, studentët e rregullt dhe ata me korrespodencë  duhet të vlerësohen në baza të kritereve të vlerësimit të përcaktuara nga ligjëruesi i lëndës përkatëse të paraqitura në syllabuset që ligjëruesi i prezanton para studentëve. Metodologjia e vlerësimit është e drejtë e secilit ligjërues, por secili ligjërues duhet të bëjë një kombinim të metodave të vlerësimit duke kombinuar punimet gjatë semestrit dhe provimit përfundimtar.

Kurse sa i përket kopjimit profesor Tamo ka thënë se përmes kësaj  dukurie studentët pas përfundimit të studimeve, nuk mundë të zhvillojnë kompetencat që janë të domosdoshme për t’u përballur  në të ardhmen me sfidat e mëdha të kohës postmoderne dhe të shekullit XXI. Kjo është një  veti apo shprehi e keqe , jo vetëm atyre të rinjve, pasi që me kopjime nuk ka mundësi të zhvillohen aftësitë që janë të domosdoshme për të siguruar një vend pune, apo për të qenë konkurrent në tregun vendor dhe ndërkombëtar.

Nga të pranishmit  ka patur mjaft interesime, të cilët kanë kontribuar me mendimet e tyre në ligjëratën me temën: “Vlerësimi objektiv dhe pandershmëria akademike – kopjimi”.

Ata kanë thënë se  studentët në Kosovë më shumë ngarkohen me teori dhe bëjnë studime teorike, sesa që pajisen me shkathtësi dhe me kompetenca që do t’i hynin në punë karrierës së tyre si ekspertë të ardhshëm.

2 3 f