Është mbajtur mbledhja e Këshillit Mbikëqyrës për Cilësi dhe Vlerësim në UKZ

20 Shtator, 2021

Këshilli Mbikëqyrës për Cilësi dhe Vlerësim (KMCV) i kryesuar nga  Prof. Asoc. Dr. Xhevdet Thaqi, ka mbajtur mbledhjen e radhës.

Në këtë mbledhje kryesuesi ka njoftuar anëtarët e këtij këshilli se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për fillimin e Vitit të Ri Akademik, duke u nisur nga akreditimi i programeve të reja dhe riakreditimi i programeve ekzistuese për nivelin baçelor dhe master hapja e konkursit për studentë dhe i për angazhimin e stafit akademik për vitin 2021/22.

Kryesuesi potencoi se përkundër angazhimeve të shumta për fillimin e vitit akademik ashtu siç është paraparë, për shkak të gjendjes së rënduar pandemike dhe masave anti covid nga IKSHP dhe Ministria e Shëndetësisë , është e mundur që ky vit akademik të filloj më 15 tetor 2021.

Lidhur me vlerësimin e stafit Akademik nga ana e studentëve ka folur drejtoresha e zyrës për Zhvillim Akademik dhe Cilësi Fitore Malaj_Avdyli, e cila njoftoi anëtarët e KMCV-së me rezultatet e vlerësimit të stafit akademik për vitin 2020/21 në dy nivelet e studimit. Në vazhdim drejtoresha Malaj-Avdyli, tha se kemi vonesa në publikimin e këtyre rezultateve sepse kanë munguar disa të dhëna. Njëherësh ajo theksoi se përpunimin e rezultateve të vlerësimit në nivel të njësive akademike do ta bëjnë Koordinatorët e njësive akademike.

Ndërsa studentët që ishin pjesë e kësaj mbledhje thanë se pajtohen me rezultatet e vlerësimit të stafit akademik nga ana e studentëve mirëpo sipas tyre, duhet theksuar se studentët të cilët janë me rezultate të mira japin vlerësim të ndryshëm nga ata që janë me rezultate të dobëta dhe se kjo mund ta jep një pasqyrë joreale të vlerësimit.

Kurse Refik Ibrahimi, Zyra për Çështje Akademike propozoi që të shtohet edhe një formë e vlerësimit të mësimdhënësve në SMU , ku studentët e diplomuar me rastin e aplikimit për lëshimin e diplomës të plotësojnë formularin për vlerësimin e mësimdhënësve sepse kjo do të ishte mënyra më e mirë për të bërë krahasime me këto vlerësime që kemi aktualisht.

Pas një diskutimi anëtarët e KMCV unanimisht miratuan raportin e vlerësimit të mësimdhënësve për vitin akademik 2020/21.

Lidhur me Rishikimin e programeve studimore, Kryesuesi i KMCV Prof.Asoc.Dr. Xhevdet Thaqi, tha se stafi akademik në mënyrë permanente duhet rishqyrtuar programet studimore si dhe syllabusët. Kjo duhet kërkohet nga dekanatet e njësive akademike dhe  në koordinim me koordinatorët e cilësisë vazhdimisht të azhurnohen të dhënat në ueb faqen zyrtare.

Ai në vazhdim kërkoi nga njësit akademike që të zbatojnë vendimin e Senatit ku kërkohet që të gjitha njësit akademike të UKZ në planet e tyre mësimore të fusin lëndët TIK dhe Shkrim akademik.

Bashkim Dalipi, prodekan i Fakultetit të Edukimit tha se si dekanat kemi vërejtje për mënyrën e lejimit të afatit të nëntorit për arritje të kushtit, për shkak se siç tha prodekani Dalipi, po kalon semestri dimëror dhe nuk po kemi qasje në numrin real të studentëve dhe kështu nuk po mundemi as të planifikojmë ndarjen e grupeve apo përcaktimin për lëndë zgjedhore.

Fatmire Krasniqi, prodekanë në Fakultetin Juridik tha se të gjithë syllabusët e ri duhet të vendosen në ueb faqen e universitetit.

Shefket Jakupi, prodekan i Fakultetit Ekonomik, tha se si dekanat i kanë rifreskuar  të dhënat në SMU.

Refik Ibrahimi, kërkoi që njësit akademike të përgatisin shënimet e stafit të angazhuar (sylabuset, fotografimin e stafit ,punimet shkencore dhe CV-it e tyre) dhe të njëjtat të publikohen te stafi akademik i njësisë përkatëse akademike.

Kryesuesi Prof. Asoc. Dr. Xhevdet Thaqi, tha se duhet të hartohet një raport nga njësitë akademike dhe t’i dorëzohet KMCV nga ku do të dalin rekomandimet për përmirësime të cilat pastaj do t’i dorëzohen menaxhmentit. Ai po ashtu kërkoi që të promovohet bashkëpunimi dhe të ndihmohet publikimi dhe hulumtimi shkencor.