Fillojnë aktivitetet për shënimin e 5 vjetorit të themelimit të Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan

5 Mars, 2018

Studentët dhe  stafi akademik i Fakultetit të Edukimit në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, kanë hapur aktivitetet për shënimin e 5 vjetorit të themelimit të UKZ-së.

Fillimisht është mbajtur një minutë heshtje në nderim të veprës së Nehat Rrudhanit, i cili ka qenë anëtar i Këshillit Drejtues të UKZ-së dhe ligjërues në Fakultetin e Edukimit.

Pastaj me një fjalë rasti dhe në emër të Rektorit Bajram Kosumi, të pranishmit i ka përshëndetur Dekani Jonuz  Dërvodeli. Ai tha se,  ne sot jemi këtu, për ta shënuar 5-vjetorin e themelimit të universitetit “Kadri Zeka”,  jo vetëm për Gjilanin, por ditëlindja e këtij universiteti është festë mbarëkombëtare, sepse në të janë të regjistruar  studentë jo vetëm nga komuna e Gjilanit, por edhe nga shumë komuna të tjera të Kosovës, si: komuna e Vitisë, e Dardanës, e Artanës, e Ferizajt, e Kaçanikut, e Hanit të Elezit, Pejës e më gjerë. Dekani Dërvodeli tha se  nga ky universitet po japin e marrin dritë, edhe studentët nga Lugina e Preshevës e Bujanocit e Medvegjës dhe në të ardhmen  shpresojmë, të zgjerohemi edhe më tej  nga e tërë hapësira shqiptare dhe më gjerë.

Kurse profesori Bahtjar Kryeziu, i dhuroi disa ekzemplarë të librave të tij, bibliotekës së Fakultetit të Edukimit të UKZ-së.

Ndërsa hapjen e orës letrare në shënimin e 5-vjetorit të themelimit të Universitetit Publik “ Kadri Zeka”, e bëri studentja e këtij tempulli të dijes, Mirjeta Llozani.

Më pas nxënësit e Institucionit Parashkollor nënë udhëheqjen e studenteve të UKZ, të cilat tani janë duke e mbajtur mësimin praktik nëpër institucionet arsimore edukative, janë paraqitur me një vallëzim.

Në vazhdim studentët dhe mësimdhënësit e Fakultetit të Edukimit të UKZ-së në bashkëpunim me klubin letrar “Beqir Musliu”,  janë paraqitur me krijime letrare, duke pikëtakuar kështu  studentët me përvojë të re në shkrime e poezi, me poetët e dëshmuar në krijimtarinë e tyre letrare.

Kurse  studenti  Rexhep Brahimi dhe studentja Vlerësina Islami janë paraqitur me një monolog dhe recital. Me lexime krijimesh poetike dhe eseistike e krijime letrare janë paraqitur studentët  e mësimdhënësit e Fakultetit të Edukimit të  UKZ-së dhe krijuesit e klubit letrar “Beqir Musliu”, si, Albulena Haliti, Arbesa Thaqi, Fahrije Pireva , Fitore Isufi, Hysen Këqiku,  Mehmetali Rexhepi, Shefik Shkodra, Nexhat Rexha, Sinan Sidaku, Selvete Avdullahu, Pranvera Zylfiu, Doruntina Salihu,  Sarë Gjergji,  Arsim Halili,  Xhezide Selimi, Merxhan Avdyli, Nevrije Ismajli dhe Avni Rudaku.

Me një pikë muzikore është prezantuar studentja e UKZ-së, Adelina Halili

Ndërkaq disa thënie të albanologëve të huaj për gjuhën shqipe, i lexuan studentët e UKZ-së: Fatmire Ida, Pranvera Zylfiu, Erona Muharremi, Donika Shabani dhe Flakrona Gashi.