Fjala e Rektorit Kosumi në fillimin e vitit akademik në Universitetin “Kadri Zeka” Gjilan 1 tetor 2019

Tetor 1, 2019

UNIVERSITETI NË EPOKËN E INTERNETIT

Fjala e Rektorit Kosumi në fillimin e vitit akademik në Universitetin “Kadri Zeka” Gjilan

1 tetor 2019

 

 

  1. TRI RISI TË UKZ NË KËTË VIT AKADEMIK:

Janë tri risi me të cilat ne po fillojmë sot:

  1. Është themeluar fakulteti i pestë, Fakulteti i Shkencave Aplikative, me programin e parë Matematika arsimore. Në vitin e parë kemi pranuar 25 studentë të matematikës. Me këtë fakultet po hapim një rrugë të re, shumë të mirë për studentët dhe tregun e punës: aftësimin e një pjese të studentëve drejtpërdrejt për vendin e punës.
  2. Për herë të parë një pjesë e stafit tonë akademik dhe administrative fituan një projekt të Erasmus+, si grant-mbajtës. UKZ do të menaxhojë projektin me rreth 15 partnerë universitarë nga Kosova, rajoni dhe BE, në një vlerë prej afro një milion eurove.
  3. Sot fillon mandati i ri i organeve udhëheqëse të universitetit: i rektorit, senatit dhe i dekanëve.

 

  1. CILI ËSHTË ORIENTIMI NË KËTË MANDAT?

Matja e cilësisë:

  1. Cilësia fillon nga filozofia e mësimit dhe nga parapërgatitja e studentit dhe profesorit për këtë filozofi: sa është i aftë studenti të ndjek ligjëratat dhe sa është i aftë profesori t’ua përshtatë ligjëratat studentit.

Shumica e profesorëve ankohen se studentët janë të zhurmshëm në ligjërata dhe nuk janë aktivë. Studentët ankohen se profesorët shpjegojnë të njëjtat gjëra që janë në libër, si robotë. Të dy palët po e humbin interesimin për ligjëratat. Kjo ka të bëjë me filozofinë e të mësuarit.

Ka përfunduar epoka kur profesori thotë: detyra ime është të shpjegoj ndërsa e studentit të mësojë. Tash jemi në epokën kur edhe studenti edhe profesori mësojnë bashkë. E vetmja përparësi e profesorit është se ai e ka çelësin e mësimit në duar dhe detyra e tij është atë çelës t’ia tregojë edhe studentit.

 

Kjo është epoka e internetit.

Interneti e ka përmbysur këtë sistem vlerash ku profesori di e studenti mëson. Studenti me një klikim në internet di më shumë se profesori. Roli i profesorit nuk është më ex catedra, por duhet të hulumtojë bashkë me studentin hapësirat e pafundme të informacionit dhe ta bartë te studenti jo sasinë e informacionit po metodologjinë e zgjedhjes dhe përdorimit të tij.

 

Thelbi i këtij ndryshimi epokal përmblidhet në dy fjalë: mendimi kritik dhe metodologjia.

Në sistemin tonë klasik të mësimit, që vazhdon edhe sot, profesori e detyron studentin të memorizojë të dhëna.

Nëse ai ka memorizuar mirë, e merr dhjetë. Nëse jo e merr pesë. Në sistemin modern të mësimit, ku profesori i vërtetë është interneti e jo profesori në klasë, vlera e dijes matet me nxitjen e mendimit kritik për fenomenet shoqërore, shkencore e natyrore.

Së dyti, nuk mjafton memorizimi i informacionit të gatshëm, por metodologjia e zgjedhjes dhe përdorimit të atij informacioni. Si mundet studenti ta kuptojë një çështje? Si e arrin dhe në çfarë kohe? Ku mund të shkojë nëse e kupton këtë? Për çka mund ta përdorë këtë informacion  etj.?

 

 

  1. Elementi i dytë i cilësisë është përgatitja e studentit për tregun e punës. Tregu i punës gjithmonë është dinamikë dhe kërkon fuqi të kualifikuar punëtore. Vetëm një pakicë e studentëve bëhet “truri” i zhvillimit teknologjik. Të tjerët kualifikohen për një vend pune.

Shifrat tregojnë që bizneseve u duhet të investojnë në trajnime për  përshtatjen e studentit të sapo diplomuar me vendin e punës. Bizneset e Kosovës ende nuk mund ta bëjnë këtë. Kjo e dëshmon shkëputjen midis universiteteve dhe bizneseve.

 

Kjo zbrazëti midis universiteteve dhe bizneseve mund të tejkalohet gjatë studimeve përmes punës praktike. Por, puna praktike e studentit ende nuk kuptohet seriozisht, as prej universitetit as prej bizneseve. Shumë programe studimore europiane e angazhojnë studentin deri në 70% me punë praktike. Në Kosovë nuk është kështu: psh. lënda Klinika Juridike deri para pak kohe është mësuar si teori, edhe pse emërtimi i saj tregon qartë se është fjala për klinika praktike juridike.

 

Një ndryshim i ndjeshëm duhet të bëhet edhe në programet tona studimore. UKZ e ka fituar një projekt ndërkombëtar për ndryshimin e qasjes ndaj klinikave juridike. Tri fakultete të UKZ, Edukimi, Shkencat Kompjuterike dhe Shkencat Aplikative janë të lidhura më shumë me punën praktike dhe me bizneset. Edhe Juridiku e Ekonomiku duhet të avancojnë, ndërsa si e tregon vetë emri, Fakulteti i Shkencave Aplikative duhet të jetë tërësisht i lidhur me praktikën.

 

  1. Elementi i tretë i cilësisë është autonomia e universitetit. Autonomia e Universitetit është korniza politike, juridike dhe menaxheriale që e mundëson suksesin. Autonomia i mundëson universitetit orientimin e plotë në shkencë. Pa autonomi Universiteti shndërrohet në vegël politike.

 

Universitetet kanë qenë në gjithë traditën të lidhura me politikën në Kosovë. Ana e mirë e këtij politizimi është fillimi i tri revolucioneve politike nga Universiteti i Prishtinës. Ana e keqe e këtij politizimi ka qenë kontrolli komunist i universiteteve dhe kjo anë po shfaqet edhe sot me ambiciet e partive politike e të grupeve joformale të interesit për ta shndërruar universitetin në fabrikë punësimi partiak e familjar dhe në makinë të votave.

 

UKZ është përballur me këto presione sidomos në dy vjetët e fundit. Ia kemi dalë me sukses ta ruajmë autonominë e Universitetit dhe kështu do të vazhdojmë edhe në të ardhmen. Nuk ka parti as ministri as grup joformal i interesit që mund ta pushtojë UKZ. Ju ftoj të qëndrojmë pa asnjë luhatje në mbrojtje të lirisë dhe autonomisë universitare.

 

 

  1. Gjilani- qytet universitar!

Në fund dua ta ndërlidh universitetin me shoqërinë dhe qytetin ku ekziston. Gjilani me Kosovën Lindore ka një traditë solide të arsimit të lartë. Sigurisht që themelimi i Universitetit ka qenë një prej vendimeve më të mira që qeveria dhe Kuvendi i  Kosovës ka bërë për Gjilanin. UKZ është dera më e mirë lidhës e Gjilanit me botën.

Ne po bëjmë të duhurën: UKZ po shndërrohet në qëllim për studentë e profesorë nga tërë Kosova. Ky është qëllimi ynë. Universiteti është  në Gjilan, le të jetë margaritari i Gjilanit, por ai është i gjithë Kosovës, i gjithë shqiptarëve dhe i gjithë botës, i atyre të cilët duan të studiojnë e të ligjërojnë në Universitetin tonë. Vetëm atëherë Gjilani do të bëhet Qytet Universitar dhe  metropol kulture.

 

Ju ftoj të gjithëve të punojmë për të bërë Gjilanin Qytet Universitar, pjesë të familjes së madhe të qyteteve universitare evropiane.

 

  • FALËNDERIMET:

Duke qenë se sot nis mandati i ri i rektorit, i Senatit dhe i dekanëve, me respekt falënderoj të gjithë ata që ndihmuan universitetin të jemi sot këtu ku jemi:

Mbi të gjitha, falënderoj studentët që e kanë zgjedhur dhe po e zgjedhin  UKZ si alternativë jete. Falënderoj sidomos ata studentë, të cilët me sukseset e tyre në Evropë e Amerikë, po ia rrisin autoritetin UKZ.

Falënderoj gjithë stafin akademik e administrativ që e konsiderojnë UKZ shtëpi të tyre.

Sot katër vjet, kur të fillojë viti i ri akademik dhe mandati i tretë i organeve menaxheriale të universitetit, sigurisht takimi do të mbahet në një sallë tjetër madhështore dhe me suksese madhështore.

Urime!