Fjalimi i Rektorit prof. asoc. dr. Bajram Kosumi në ceremoninë e diplomimit të studentëve të gjeneratës së dytë të Universitetit Kadri Zeka në Gjilan

26 Tetor, 2018

Jemi mbledhur këtu të festojmë dhe të urojmë diplomimin e rreth 300 studentëve të UKZ në këtë vit akademik. Ky është grupi i dytë i madh i studentëve tanë për të cilët organizojmë ceremoninë e diplomimit, nga 600 sa kanë diplomuar deri më tash. Vjet, në këtë sallë, më 27 nëntor, kemi organizuar ceremoninë e diplomimit të grupit të parë të studentëve.

Por, midis nëntorit të vitit të kaluar dhe këtij nëntori ka zhvillime të mëdha në UKZ. Shumë studentë kanë filluar punën, të përgatitur për t’i shërbyer vetes, familjes dhe vendit.

 

  • Studentja e Fakultetit të Edukimit, Doruntinë Hajdari, e ka marrë vitin e kaluar diplomën në këtë, kështu sikurse ju sot. Tash ajo është punësuar në një shkollë fillore. Njësoj edhe me Fatmir Kastratin, Besart Rexhepi, Marigona Shaqiri dhe me shumë studentë të tjerë të Edukimit.

 

  • Studentja e Fakultetit Juridik Argjiro Haxhiu ka diplomuar vjet dhe tash është e punësuar në një mikrobankë.

 

  • Studentja Fakultetit Ekonomik Albiona Asllani ka diplomuar vjet, ndërsa tash punon në një bankë prestigjioze në Kosovë. Njësoj edhe me studenten Uresa Salihu e shumë të tjerë.

 

  • Studenti i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike, Jeton Selimi, e ka marrë vitin e kaluar diplomën këtu, ndërsa tash është punësuar. Kështu edhe me studentë të tjerë të këtij fakulteti, si Arlind Hajdari, Arlind Kryeziu, Drilona Kurtalani, Fortesa Vranja, Jeton Selimi etj. Të gjithë të diplomuarit në FSHK janë punësuar në institucione të ndryshme publike dhe private, dhe vazhdojnë studimet master.

Shumë studentë të tjerë kanë vazhduar studimet master, këtu në programet e UKZ, në universitete të tjera në Kosovë si dhe në rajon e në botë, si në Zvicër, Greqi, Slloveni, SHBA etj.

 

  • Studentja e Fakultetit Juridik, Lizë Rexhepi, e ka marrë vitin e kaluar diplomën këtu. Tash ka fituar bursë të plotë për master në universitetin prestigjioz Ohio Northern University Pettit College of Laë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

 

  • Studentja e Fakultetit Ekonomik, Xheneta Vranovci, e ka marrë vitin e kaluar diplomën këtu. Tash ka vazhduar studimet master në Universitetin e Friburgut ne Zvicër.

 

  • Naxhije Rexhepi, studente e Fakultetit Ekonomik të UKZ, e ka marrë vitin e kaluar diplomën këtu. Sivjet, në kuadër të Erasmus+, ka fituar bursë dhe po vazhdon studimet master në Universitetin e Lubjanës në Slloveni.

 

  • Disa dhjetëra studentë të UKZ janë regjistruar në shumë programe të masterit në vend dhe jashtë vendit, janë renditur në krye të listës dhe po dëshmojnë suksese të reja. Shumë prej këtyre studentëve po i vazhdojnë me sukses studimet master në programet e UKZ.

 

Të dashur studentë,

Këta janë vetëm disa emra nga shumë të tjerë, kolëgë tuaj, të cilët vetëm një vit më parë kanë marrë diplomat e UKZ në këtë sallë.

Edhe juve ju pret kjo rrugë e vështirë po të cilën do ta fitoni.

Ju sot po e mbyllni një cikël të jetës dhe po e hapni një të ri.

Gjatë vitit që vjen ju do të bëheni pjesë të tregimit të reja të suksesshme të studentëve të UKZ, kudo që shkojnë: në vazhdim të studimeve, në punë dhe në aktivitete të tjera.

 

Unë dhe gjithë profesorati i UKZ ju falënderon për punën e suksesshme që keni bërë për tri dhe katër vjet në universitetin tonë. Çdo sukses juaji na bën të lumtur e krenarë. Po përmend edhe disa prej këtyre sukseseve.

  • Rreth 15 studentë të Fakultetit të Shkencave Kompjuterike të UKZ, kanë marrë pjesë në punëtorinë për zhvillim të moduleve inovative, në kuadër të projektit REBUS, pjesë e të cilit është UKZ, e cila punëtori ka zgjatur 15 ditë dhe është mbajtur në Graz të Austrisë. Falënderoj të gjithë këta studentë.

 

  • Rreth 20 studentë të Universitetit të Zug-ut nga Zvicër kanë qëndruar në UKZ , si pjesë e marrëveshjes së bashkëpunimit që Universiteti ‘’Kadri Zeka’’ ka me Universitetin e Zug-ut. Studentët zviceranë dhe studentët tanë kanë mësuar shumë nga përvojat e dy universiteteve. Me këtë rast dëshiroj të falënderoj studentët dhe familjet e tyre të cilat kanë akomoduar në shtëpitë e tyre për dy netë studentët zviceranë.

 

  • Në 5 vjetorin e themelimit, në mars të këtij viti, diplomën “Student i Dalluar” e kanë marre nga një studentët me notën më të lartë mesatare në secilin fakultet. Sot, në emër të gjithë profesoratit të UKZ falënderoj këta studentë për suksesin e arritur: nga Fakulteti i Edukimit studentja Ardhmërie Bajrami, nga Fakulteti Juridik Vjosë Avdiu, nga Fakulteti Ekonomik studenti Atrit Agaj, nga Fakulteti i Shkencave Kompjuterike studentja Dritëlinda Hajdari.

 

  • Studentët dhe udhëheqësit e Parlamentit Studentor të UKZ, Adrian Bajrami, Dritor Mehmeti dhe Blerine Ajvazi, këtë vit kanë përfaqësuar Republikën e Kosovës në Samitin për Paqe në Republikën e Koresë Jugore, duke u bërë dhe anëtarë e IPYG (International Peace Youth Group).

 

  • Në garat e organizuara nga ‘’National Center for State Courts’’, në kuadër të programit ‘’Kërko Drejtësi’’, studentja e Fakultetit Juridik të UKZ-së, Xhezide Selimi, ka marr çmimin ‘’Best Oralist Aëard’’.

 

Gjatë vitit të kaluar akademik ne kemi startuar me sukses edhe studimet master në dy programe studimore. Sivjet është gjenerata e dytë e këtyre studentëve.

  • Në këtë vit akademik kemi pranuar 811 (bachelor)+120 (master)=931 studentë të rinj, me të cilët numri i përgjithshëm i studentëve të UKZ është rreth 9000, prej të cilëve aktivë janë rreth 5000.
  • Menxhmenti i UKZ ka hartuar dhe miratuar Planin e Veprimit për Cilësi. Mësimdhënia, provimet dhe pjesa praktike për këtë vit është ngritur për një shkallë më lart. Rezultatet e para të këtij plani janë parë edhe sivjet me rastin e angazhimit te stafit akademik: për herë të parë janë marrë parasysh vlerësimet e studentëve për profesorët me rastin e angazhimit të tyre.
  • Janë dizajnuar diplomat e UKZ dhe suplementi i tyre.
  • Është startuar me platformën E-lërning. Universitet ka në përdorim dy softuerë e-lërning, SEMS dhe Moodle, dhe është duke përgatitur edhe të tretin, i cili mundëson administrimin virtual të procesit të mësimdhënies dhe i cili në tërësi është prodhim origjinal i profesorëve të Shkencave Kompjuterike.
  • Në fakultetin e Edukimit është themeluar Instituti për Trajnime dhe Hulumtime Arsimore, i pari në UKZ.
  • Në Fakultetin Juridik është themeluar Klinikes Juridike Penale.
  • Në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike është ngritur kabineti kompjuterik me 30 kompjuterë,
  • Një hap me rëndësi është bërë në projektet ndërkombëtare: gjatë këtij viti UKZ ka konkurruar si partnere në 16 projekte të Erazmus+, prej të cilëve në dy ka fituar; po ashtu ka fituar edhe në dy projekte ndërkombëtare të programit ndërkombëtar HERAS.
  • Një hap me rëndësi është bërë në marrëdhënie me tregun e punës dhe me bizneset: Fakulteti Ekonomik ka organizuar në mars panairin e punës “Ndërtojmë partneritet!”, me ç’rast kanë marrë pjesë një numër i madh i bizneseve lokale dhe nacionale. Në këtë vazhdë janë nënshkruar 17 marrëveshje bashkëpunimi midis këtij fakulteti dhe bizneseve vendore.
  • UKZ në maj të këtij viti ka themeluar Bordin Këshillëdhënës Industrial, ku marrin pjesë rreth 40 kompani dhe biznese lokale, e i cili bord do ta këshillojë UKZ në lidhje me tregun e punës dhe ndërlidhjen më të mirë të studimeve akademike me këtë treg. Në këtë rast e përshëndes kryetarin e Bordit Këshillëdhënës Industrial.
  • Një ndihmesë në ngritjen e cilësisë ka dhënë edhe Parlamenti Studentor me trajnimet që ka ofruar për kandidatët që kanë konkurruar për studentë në UKZ. Studentët tanë kanë mbajtur trajnime në lëndë të ndryshme me këta kandidatë, për të arritur rezultat më të madh në provimin pranues.
  • Në kuadër të ndërlidhjes sa më të madhe të UKZ me komunitetin, menaxhmenti i UKZ ka organizuar takime të shumta me institucionet publike të komunave të Anamoravës, si me kryetarët e komunave Gjilan, Kamenicë, Viti, Kaçanik, Ferizaj, Hanelezit etj,, si dhe me deputetët e kësaj ane në Parlamentin e Kosovës dhe me shumë institucione e organizma të tjerë politikë e social.
  • Projekti i UKZ, i krijuar në bashkëpunim me GIZ dhe MASHT, “Shkollat fillore-një apo më shumë mësues?” ka filluar të implementohet në shkollën Selami Hallaci në Gjilan.
  • Një zhvillim pozitiv në UKZ ka pasur edhe në profesionalizimin dhe aftësimin e administratës së Universitetit: është krijuar edhe struktura e menaxherëve të mesëm, pra drejtorët e zyrave, e kjo do ta ndihmojë shumë punën e mëtejme të universitetit.
  • Gjatë këtij viti janë mbajtur zgjedhjet për Këshillin Drejtues të UKZ, organit më të lartë drejtues të universitetit.

Në fund, kam kënaqësinë të falënderoj gjithë profesorët dhe asistentët e UKZ, ata të rregullt dhe të angazhuar, dekanët e fakulteteve Jonuz Dervodeli, Sadik Haxhiu, Gëzim Tosuni dhe Xhevdet Thaci me prodekanët e tyre;

Në veçanti falënderoj prorektorët Shpresa Qamili, Naim Mustafa dhe Dukagjin Leka, falënderoj sekretarin gjeneral Vaxhid Sadriun me gjithë administratën e UKZ.

 

Të dashur studentë,

Për pak çaste do të fillojë ndarja e pllakateve të diplomave.

Ju do të vazhdoni tutje, kush në nivele të tjera studimore, kush në punë. Ne do të interesohemi për ju edhe më tej dhe do të jemi përkrahësit tuaj. Ju ftojmë që edhe ju të jeni me ne dhe të na ndihmoni në rrugëtimin e universitetin tonë.

Urime dhe ju priftë e mbara!

Fjalimi i Rektorit në Ceremoninë e Diplomimit