Ftesë/ UKZ-së organizon debate garuese me studentët për tema të ndryshme

Dhjetor 25, 2019

Pas formimit të Klubit të Debatit në Universitetin “Kadri Zeka”  dhe skuadrave të para të studentëve për debat, të enjten, më 26 dhjetor 2019, ora 14:00, në sallën A/34 (Salla e konferencave), Fakulteti i Edukimit, fton studentët, profesorët dhe debatdashësit, që të marrin pjesë në debatet e para garuese ndërmjet 6 (gjashtë) skuadrave, nga studentët e të gjitha fakulteteve të UKZ-së.

Agjenda, temat dhe skuadrat e garave debutuese janë:

Debati 1:

Deklarata: “Shkollat nuk na duhen më, kur e kemi sot gugllën (Google apo shkolla?!). Skuadra 1 afirmative, pohuese, PËR deklaratën, përbëhet nga studentët: Jasemin Aliti, Elitë Bardhi, Valonis Ramadani. Skuadra 2 mohuese, KUNDËR deklaratës, nga: Herolind Ymeri, Alma Zeneli, Liona Bllaca. Skuadra afirmative e mbron gugllën, Jutjuben, google clasroom-in, studimet onllajn, studimet në distancë, e-learning, e platforma të tjera onllajn, ndërsa skuadra kundërshtuese, e mbron shkollën, vendtakimin social e fizik; qëndrimin se shkolla ende na duhet dhe është e domosdoshme, pavarësisht zhvillimit të teknologjisë informative.

Debati 2:

Deklarata: “Nuk duhet të shpenzojmë aq shumë para për të shkuar në planetin Mars, kur një pjesë e madhe e popullsisë botërore vuan ende nga uria.” Skuadra 1 PËR deklaratën nga: Drinor Qerimi, Leonora Maliqi, Genc Salihu. Skuadra 2, KUNDËR deklaratës: Verona Huruglica, Arbër Ramadani, Ardonis Halimi. Skuadra afirmative e mbron deklaratën, duke mbledhur statistika të varfërisë në botë dhe shumë argumente të tjera, ndërsa skuadra kundër deklaratës, flet për rëndësinë e eksplorimit të kozmosit, udhëtimit ndërplanetar dhe mbijetesën e njerëzimit, duke u përkujdesur edhe për pasardhësit dhe gjeneratat e ardhshme, e sidomos me fokus sakrificat, vetëflijimet e kultet heronjve të njerëzimit.

Debati 3:

Deklarata: “Nuk duhet profesorët dhe studentët të jenë miq/mikesha në Facebook, gjersa janë në periudhën e studimeve.”

Skuadra 1 PËR deklaratën: Visar Hamiti, Rinor Azizi, Besarta Sejdiu. Skuadra 2, KUNDËR deklaratës: Zana Bytyqi, Çlirimtare Gashi, Endios Pireva. Skuadra afirmative e mbron deklaratën, duke gjetur argumente se si mund të jetë konflikt interesi, rritje e afërsisë e miqësisë e ndikimit potencial edhe në vlerësim reciprok, ndërsa skuadra kundër deklaratës, flet për rëndësinë e komunikimit në Facebook, duke mos krijuar distancë në mes të profesorit-studentit, si dhe nevojën e sotme të domosdoshme për komunikim të shpejtë dhe onllajn për detyra, seminare, rezultate.

Debati ka 2 sesione, me 2 skuadra, me nga 3 debatues/e, në maksimum kohëzgjatje, deri në 36 minuta. E veçanta e vlerësimit është se audienca voton se cila skuadër ishte më bindëse në debat.

 

Ju mirëpresim!

Klubi i Debatit “UKZ”