Interesim i madh i aplikuesëve për tu regjistruar në Universitetin “Kadri Zeka” brenda ditës numri i tyre ka arritur në 500

7 Shtator, 2017

Që nga dje kur dhe ka filluar aplikimi i maturantëve për tu regjistruar në Universitetin “Kadri Zeka” për vitin akademik 2017/2018, vërehet interesim mjaft i madh në të gjitha Fakultetet, si në Fakultetin Juridik, Fakultetin Ekonomik, Fakultetin e Edukimit dhe atë të Shkencave Kompjuterike. Vetëm  sot numri i aplikantëve ka arritur rreth 500 sosh.

Lidhur me numrin e maturantëve të cilët janë të interesuar të vazhdojnë studimet  në Universitetin “Kadri Zeka ”, Shpresë Qamili , prorektore për mësim kërkime shkencore dhe çështje të studentëve,  ka thënë se ky interesim është i mirëseardhur, sepse Universiteti “Kadri Zeka” është përgatitur për t’iu dhënë mundësinë të gjithë atyre që meritojnë të vazhdojnë studimet. Prorektorja Qamili  ka thënë se gjithashtu jemi të përkushtuar që ky proces të rrjedh në mënyrën më të mirë të duhur në pajtim me dispozitat ligjore në fuqi dhe do t’u japim mundësinë të gjithë atyre që meritojnë në kuadër të parametrave numerik që Universiteti ka shpallur për këtë vit akademik.

Ndryshe Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan në studimet baçelor respektivisht në Fakultetin e Edukimit programi Fillor dhe Parashkollor, Fakultetin Juridik, Fakultetin Ekonomik në programet Banka Financa dhe Kontabilitet, programin Marketing , programin Menaxhment dhe Fakultetin e Shkencave Kompjuterike, do të regjistrojë 1192 studentë të rregullt, kurse në studimet master respektivisht  në programet E-Qeverisja, program ky i përbashkët mes Fakultetit Juridik, Fakultetit Ekonomik dhe Fakultetit të Shkencave Kompjuterike të Universitetit “Kadri Zeka”  dhe programin Qeverisja Lokale dhe Shoqëria Demokratike, program i përbashkët me Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan, Universitetin “Ukshin Hoti” në Mitrovicë dhe Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë do të regjistrojë  117 studentë të rregullt, ku përfshihen edhe studentë nga  Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, si dhe nga komunitetet jo-shumicë.

Për regjistrimin e studentëve në vitin e parë të studimeve baçelor, paraqitja e dokumenteve zgjatë prej datës 6.9.2017 deri më 13.9.2017 nga ora 9.00 deri në orën 16.00, kurse për regjistrimin e studentëve në vitin e parë të studimeve master, paraqitja e dokumenteve zgjatë prej datës 18.9.2017 deri më 16.10.2017 nga ora 9.00 deri në orën 16.00, dokumentet do të pranohen çdo ditë, me përjashtim të ditës së diel.

Provimi pranues për Fakultetin Juridik dhe Fakultetin e Shkencave Kompjuterike do të mbahet më  15.9.2017, kurse për Fakultetin e Edukimit dhe Fakultetin Ekonomik, më 16.9.2017.

Provimi pranues për studime master, do të mbahet më datë 18.10.2017.

Njoftimet dhe orarin për vendin ku do të mbahen provimet pranuese mund të merren në fakultetet përkatëse, detajet lidhur me kohën  e mbajtjes së provimit pranues sipas njësive akademike  për studime baçelor do të shpallen më 14.9.2017, kurse për studime master më 17.10.2017 në ueb faqen e universitetit uni-gjilan.net .

Shpallja e rezultateve përfundimtare të provimit pranues për baçelor do të bëhet, më së voni, deri më 22.9.2017, ndërsa për master deri më 23.10.2017.