KOHA E TË RINJËVE GJILANAS/ BËHUNI AMBASADOR TË VENDIT TUAJ

20 Prill, 2017

Studenti i Universitetit “Kadri Zeka”,Qëndrim Behluli, ka arritur të zgjidhet ambasador për organizatën ndërkombëtare “Youth Time” me seli kryesore në Pragë, në mesin e gjashtë Ambasadorëve nga e gjithë bota që ka kjo organizatë.

Me 2 mars të këtij viti Qëndrim Behluli qëndroi në Pragë, ku u prezantua si student i Universitetit “KadriZeka”.  Ai atje nënshkroi marrëveshje me organizatën ndërkombëtare “Youth Time”  dhe mori përsipër që të promovojë këtë organizatë që ka një rrjet të gjerë në gjithë globin. Për t’u admiruar është se studenti ynë gjendet në rrethin e gjashtë ambasadorëve nga e gjithë  bota. Qëndrimi gjithmonë ka shprehur interes shumë të madh në njohjen e së drejtës ndërkombëtare dhe diplomatike, andaj ky interes i tij dhe ky mund u shpërblye gjithmonë me vlerësime me të larta nga profesorët e Universitetit, kështu me shumë sukses dhe nota të larta ka kaluar provimet nga kjo fushë. Së fundmi, Qëndrim Behluli ka zgjedhur modulin e Të Drejtës Ndërkombëtare në semestrin e fundit, në prag të diplomimit, duke konsideruar se Kosova e ka të domosdoshme krijimin e marrëdhënieve të reja me shtetet e ndryshme si dhe me organizatat ndërkombëtare  nga e gjithë bota, ai po ashtu konsideron se Kosova duhet t’i ruaj marrëdhëniet me shtetet mike, e këtë më së miri e bën diplomacia.

“Që nga mosha e vogël ëndrra ime ka qenë që një ditë të bëhem ambasador i vendit tim dhe të kontribuoj sa më shumë në qarqet diplomatike” –tha Qëndrimi.

Me zgjedhjen ambasador nga kjo organizatë, ai thotë se ëndrra e tij veç ka filluar ta zbulojë dritën në fund të tunelit. “Si përfaqësues i Kosovës në këtë organizatë,  ëndrrës sime iu dha një drejtim, sfidat filluan nga momenti që e mora postin e ambasadorit, ndërsa sfidat e radhës i pres më i motivuar se kurrë më parë” – thotë ai.

Organizata“Youth Time” të cilën Qëndrimi e përfaqëson, organizon dy vente  kryesore gjatë vitit, “Summer School” dhe “Global Forum”.

Të rinj nga  e gjithë bota mblidhen dhe fitojnë njohuri të reja si dhe shkëmbejnë përvoja dhe kultura të ndryshme. Këto evente mbahen në vende të ndryshme të botës, ndërsa për këtë vit është vendosur që “Summer School” të mbahet në Pekin – Kinë dhe Global Forum në Dubai – Emirate të Bashkuara. Aty si përfaqësues do të jetë edhe Qëndrimi. Të drejtë aplikimi për pjesëmarrje kanë të rinjtë nga e gjithë bota. “Youth Time” ndan edhe fonde për projekte të ndryshme si dhe bursa studimi në universitet prestigjioze.

Të gjithë ju që jeni të motivuar dhe keni dëshirë të fitoni njohuri të reja, të bëheni lider të së ardhmes, të shkëmbeni përvojat tuaja dhe të njoftoheni me kultura të reja, atëherë vizitoni ueb faqen e kësaj organizate (www.youth-time.org) apo kontaktoni Qëndrimin permes e-mailit [email protected] dhe merrni informata edhe më të hollësishme.

Ndryshe, Universiteti “Kadri Zeka” më datë 6 mars 2017 mbushi katër vjet që nga themelimi i tij.  Rruga drejt një ndërtimi të një institucioni kredibil është  duke ecur shumë mirë,  këtë më së miri po e dëshmojnë studentët e këtij universiteti.  Ata  po tregohen shumë të suksesshëm si brenda Universitetit ashtu edhe jashtë tij, duke arritur rezultate pozitive ndërkombëtarisht.  Fillimisht ky fakt  u  provua nga dy studentë, të cilët përfunduan një vit të suksesshëm në Universitetet e ndryshme në Gjermani, dhe të njëjtën përvojë po e vazhdojnë edhe dy student të tjerë që këtë vit po i ndjekin studimet në Kroaci. E gjithë kjo po mundësohet nga partneriteti i krijuar mes Universitetit ”Kadri Zeka” dhe projektit “Green Tech” si program i “Erasmus +”. Kjo nuk është e gjitha, fatmirësisht universiteti ka krijuar marrëdhënie të jashtme edhe me shumë partnerë të tjerë. Kjo ka hapur mundësi vërtet të mira për gjithë ata që dëshirojnë të vazhdojnë studimet në vende të ndryshme dhe të sjellin përvoja të reja për të kontribuar në kualitetin e jetës dhe shtet-ndërtimin e Republikës së Kosovës.

Krejt për fund studenti ynë i bën thirrje gjithë të rinjve që të jenë sa më të angazhuar dhe të kërkojnë me çdo ngulm mundësitë për të provuar përvoja jashtë vendit, qofshin këto përvoja të shkurtra njëvjeçare apo edhe më gjatë aq kohë sa duhet për të studiuar një fushë të caktuar.