Kuvendi i Kosovës miratoi Statutin e UKZ-së

10 Dhjetor, 2020

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në seancën e sotme me 68 vota për, Statutin e Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan. Po ashtu sot janë miratuar edhe  statutet e tre universiteteve të tjera publike, pas debatit që u zhvillua nga deputetët.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës (MASH), Ramë Likaj tha se statutet e këtyre universiteteve janë në përputhje me Ligjin mbi Arsimin e Lartë, pasi kanë kaluar të gjitha procedurat e nevojshme. “Statutet e universiteteve publike janë në përputhje me Ligjin mbi Arsimin e Lartë. Përmbajtja e këtyre statuteve është e njëjtë dhe përcaktohet nga 215 dhe 243 nene, derisa i kanë kaluar të gjitha procedurat që obligohen me ligj dhe dëgjimet publike”, tha ministri Likaj.

Miratimin e Statutit të UKZ-së dhe të tre universiteteve tjera publike, Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovcë,  Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë dhe Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj , e ka përshëndetur rektori i Universitetit Publik ‘’Kadri Zeka’’ në Gjilan Prof. Asoc. Dr. Bajram Kosumi.

Me këtë rast, rektori Kosumi, ka uruar studentët, stafin akademik, administrativ dhe të  gjithë ata që kanë kontribuar për përgatitjen e Statutit.