Lizë Rexhepi studente e UKZ ka fituar bursë të plotë për magjistraturë në SHBA

13 Qershor, 2018

Studentja e Universitetit Publik “Kadri  Zeka” në Gjilan Lizë Rexhepi ka fituar bursë të plotë për të përfunduar magjistraturën në njërin ndër ë universitetet më prestigjioze në regjionin e mesëm të Shteteve të Bashkuara, Ohio Northern University Pettit College of Law, në programin,  Qeverisje Demokratike dhe Sundim të së Drejtës dhe programin Pedagogji Ligjore.

Liza shprehet se është mjaft  e gëzuar dhe e lumtur, derisa tregon se publikimin për shpalljen e kësaj burse, e ka parë në disa faqe online, si faqet e Ambasadës Amerikane në Kosovë, në rubrikën e të interesuarve për studime jashtë vendit.

Liza thotë se kushtet që janë kërkuar për t’u plotësuar, nuk kanë qenë aspak të vështira, sipas saj  është kërkuar njohja e gjuhës angleze që njëherit ka qenë edhe kushti themelor, dhe për këtë është përgatitur edhe testi i gjuhës të cilit, Liza  i është nënshtruar në ditën e intervistës, nga rezultatet e së cilës ka rrjedhe edhe fitimi i bursës.

Për Lizen kjo bursë, ka një rëndësi të veçantë, si në pikëpamjen personale ashtu edhe profesionale si studente e Universitetit Kadri Zeka.

Universiteti i Ohio-s padyshim ofron mjetet më të mira të ligjërimit, si një ndër  universitetet më të vlerësuara të drejtësisë në botë,  gjë që siç shprehet Liza, e bënë të vlerësoj edhe me shumë bursën të cilën e ka fituar.

Sipas Lizes, rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në vazhdimin e studimeve në Amerikë me bursë,  ka pasur  Universiteti “ Kadri Zeka”, nga i cili ka përfituar dituri dhe njohuri të cilat sot e kanë ndihmuar të vazhdoj tutje dhe të përfitoj këtë bursë.

Studimet e magjistraturës Liza  do ti fillojë në Gusht të këtij viti, ku me 1 Gusht do  të lë Kosovën për në Amerikë dhe do të zhvendoset në kampusin e Universitetit te Ohio-s, nga ku edhe do të ndjek ligjëratat për studime në po këtë Universitet.

Programi i kësaj burse është ekskluzivisht për studentët  shembullor të cilët si qëllim kanë përgatitjen e tyre për t’u bërë profesor në Fakultetin Juridik në të ardhmen, prandaj Liza shpreson se eksperiencën që do ta fitojë atje,  ta sjellë në Universitetin ” Kadri Zeka”.

Ndryshe Lizë Rexhepi ka qenë studente e dalluar e Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan ku ka studiuar në Fakultetin Juridik. Ajo  në vitin 2016 ka arritur në Finalen e Madhe të Oratorëve të Rinj në Republikën e Maqedonisë. Gjithashtu Liza vlen të  theksohet se ka qenë pjesë e programit të BE-së, Erasmus, dhe shumë aktiviteteve të tjera.