“Lufta e Trojës”, luftë e të parëve tanë

16 Janar, 2019

Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, dega në Gjilan,  ka organizuar në ambientet e Universitetit  “Kadri Zeka”  promovimin e  veprës “Lufta e Trojës – luftë pellazge-ilire” e autores prof. dr. Elena Kocaqi.

Fillimisht është paraqitur historiani Gazmend Arifi, i cili ka theksuar se ky libër trajton një temë të rëndësishme, ngase sjell një të vërtetë të madhe që i shërben njohjes të të kaluarës sonë. Arifi këtë libër e ka cilësuar si një kontribut shumë të madh për njohjen e të kaluarës sonë.

Kurse Naim Musliu, kryetar i degës së Lidhjes së Historianëve “Ali Hadri” në Gjilan, e ka çmuar lart librin e Kocaqit, kurse  Blerim Haziri është paraqitur me një vështrim rreth librit “Lufta e Trojës – luftë pellazge-ilire” e autores prof. dr. Elena Kocaqi.

Sipas Hazirit, ky libër trajton Luftën e Trojës nga kontesti historik e për këtë ngjarje janë shkruar shumë vepra nga autorë antikë. E veçantë e këtij libri është se autorja Kocaqi sjell fakte të reja që kjo ka qenë një luftë e fiseve ilire dhe se ka një ngjarje krejt ndryshe, e patrajtuar deri më tani.

Vetë autorja Elena Kocaqi, ka theksuar se ajo ka mëtuar që këtë vepër t’a shkruaj në mënyrë objektive. Ajo nuk la pa përmendur dardanët antikë, duke theksuar se Kosova e meriton të mbajë emrin Dardani, ngase sipas saj dardanët e Trojës dhe ata ilirë ishin të të njëjtit fis.

Kocaqi tha se studimi i saj është bazuar tek autorët antikë dhe se sipas saj Homeri nuk është burimi kryesor për Luftën e Trojës.