Marrëveshje Bashkëpunimi me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës dhe me Asociacionin e Bibliotekave Elektronike të Kosovës

Dhjetor 29, 2020

Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan  ka nënshkruar Marrëveshje Bashkëpunimi me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” dhe me Asociacionin e Bibliotekave Elektronike të Kosovës

Qëllimi i marrëveshjes me Asociacionin e Bibliotekave Elektronike të Kosovës  është anëtarësimi i Universitetit “Kadri Zeka” në Asociacionin e Bibliotekave Elektronike të Kosovës dhe shfrytëzimi i burimeve dhe materialeve elektronike të nevojshme për studentët dhe mësimdhënësit e UKZ-së, si dhe mundësinë e antarësimit të studentëve dhe mësimdhënësve si lexues të rregullt në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.

Anëtarësimi i UKZ-së në ABEK ofron mundësinë e shfrytëzimit të burimeve elektronike të cilat sigurohen nga ABEK përmes EIFL për Kosovë, qoftë burime falas apo me pagesë.

Po ashtu, sipas marrëveshjes me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës Studentët dhe mësimdhënësit e Universitetit “Kadri Zeka”, tash e tutje do të kenë në dispozicion informacionin për koleksionet (mbi 700  mijë tituj), katalogun elektronik dhe manual si dhe shërbime të tjera që ofrohen nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës (BKK).

Marrëveshjet u nënshkruan nga Rektori i Universiteti “Kadri Zeka”, Prof. Asoc. Dr. Bajram Kosumi, z. Fazli Gajraku, Drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe znj. Bukurije Haliti, Koordinatore e Asociacionit të Bibliotekave Elektronike të Kosovës.

Rektori Kosumi, theksoi se kjo është një mundësi shumë e mirë për studentët dhe stafin akademik, sepse këto marrëveshje do të hapin një dritare të re për studentët dhe mësimdhënësit e UKZ-së.

Ndryshe, në marrëveshje parashihet që UKZ dhe BKK-ja të organizojnë konferenca, seminare, panaire, promovime të botimeve vendore dhe të huaja, si dhe aktivitete shkencore e kulturore në fusha me interes të përbashkët.