MASHTI ofron mbështetje financiare të vajzave/grave studente në fushat STEM

22 Shtator, 2021

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka hapur thirrjen për  mbështetje financiare të studenteve vajza/gra në fushat e Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës (apo STEM) të arsimit të lartë në Kosovë.

Afati i aplikimit do të vazhdojë të jetë i hapur deri më 20 tetor 2021 në orën 16:00.

Thirrja synon ta mbështesë shkollimin e vajzave/grave që do të studiojnë në institucionet publike të arsimit të lartë në Kosovë për programet e Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës (apo STEM në gjuhën angleze).

Të drejtë aplikimi kanë studentet që në vitin akademik 2021-2022 regjistrojnë vitin e parë të studimeve në këto fusha në nivelin baçelor dhe që këto studime i vijojnë si studente të rregullta.

Me këtë thirrje do të mbështeten 1,000 studente të fushave STEM me bursa në vlerë prej 1,000 (njëmijë) EUR/viti.

Të drejtë aplikimi kanë të gjitha vajzat/gratë që regjistrohen në një nga programet e fushave STEM në Kosovë, sipas aneks-listës së programeve të publikuar me këtë thirrje.

Përparësi kanë kandidatet që kanë sukses të shkëlqyer paraprak.

Kjo formë e mbështetjes financiare ka për qëllim të promovojë pjesëmarrjen e vajzave/grave në fushat STEM dhe merr në konsideratë gjendjen financiare të studenteve. Në këtë thirrje inkurajohen që të aplikojnë vajzat/gratë nga komunitetet jo-shumicë dhe ato që vijnë nga zonat rurale.

PROCESI I APLIKIMIT

Për të aplikuar, kandidatet duhet të dorëzojnë dokumentet në vijim:

  1. Letrën e motivimit (deri në 500 fjalë, në gjuhën shqipe);
  2. Jetëshkrimin (CV-në);
  3. Diplomën e shkollës së mesme dhe certifikatat e notave;
  4. Dëshminë e pranimit në një nga programet STEM të universitetit përkatës;

Luteni që aplikimin ta dorëzoni përmes postës elektronike në adresën: [email protected].

Gjeni më poshtë linkun e thirrjes si dhe detajet tjera në lidhje me aplikimin.

https://masht.rks-gov.net/article/njoftim-per-zgjatje-te-afatit-per-aplikim-ne-stem

https://masht.rks-gov.net/uploads/2021/08/thirrja-me-nr-01b-1561-per-mbeshtetjen-financiare.pdf