Mbahen takimi me ekspertë ndërkombëtarë për ri-akreditimin e programit Matematikë Arsimore të FShA-së në UKZ

27 Prill, 2022

Në kuadër të procesit të ri-akreditimit të programit Matematikë Arsimore të Fakultetit të Shkencave Aplikative në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, sot është zhvilluar  takim virtual mes ekspertëve ndërkombëtarë dhe grupeve të organizuara nga fakultetit.

Të pranishëm gjatë takimeve me grupet e ndryshme në UKZ ishin edhe zyrtarët e Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA) të përfaqësuar nga  Ilirjana Ademaj Ahmeti.

Në takimet virtuale eksperti ndërkombëtar për programin Matematikë Arsimore të Fakultetit të Shkencave Aplikative, Dr. Peeter Normak dhe Asnate Kažoka, PhD Cand., takimin e parë  e kanë mbajtur me menaxhmentin e fakultetit, ndërsa më pas janë zhvilluar takime edhe me përgjegjësit e cilësisë, bartësit e programit, stafin akademik, studentët, si dhe palët e jashtme të interesit.

Dekanja e Fakultetit të Shkencave Aplikative në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan,  Prof. Asoc. Dr. Shpresa Qamili tha se takimet me ekspertë kanë shkuar shumë mirë, njëherësh ka vlerësuar organizimin e bërë për këtë proces nga Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA). Dekanja Shpresa Qamili theksoi se në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan, ka pasur një mobilizim të jashtëzakonshëm sa i përket procesit të ri-akreditimit të programit Matematikë Arsimore të Fakultetit të Shkencave Aplikative, për çka falënderoi të gjithë ata që kanë qenë të angazhuar.

Paraprakisht ekspertëve ndërkombëtarë, të cilët për shkak të pandemisë takimet i zhvillojnë virtualisht, u është dërguar një videoxhirim i Fakultetit të Shkencave Aplikative, në të cilën prezantohet puna, aktivitetet, organizimi i punës, sallat, kabinetet etj, ku zhvillohet procesi mësimor.

Procesi i ri-akreditimit  përfshin sigurimin e brendshëm dhe sigurimin e jashtëm të cilësisë, i cili vazhdon të mbetet mjeti kryesor për vendosjen e standardeve të cilësisë në sistemin e arsimit të lartë në Kosovë.