Menaxhmenti i UKZ-së e ka vlerësuar të suksesshëm përfundimin e ligjëratave të semestrit veror

27 Maj, 2020

Menaxhmenti i Universitetit ‘’Kadri Zeka’’ dhe Kolegjiumi i Dekanëve të njësive akademike kanë mbajtur online takimin e radhës, ku është diskutuar rreth afatit të  Prillit dhe Qershorit, përmbylljes së semestrit veror për vitin akademik 2019/2020 si dhe mësimit online.

Menaxhmenti vendosi që për organizimin dhe përcaktimin e datave për mbajtjen e provimeve për Afatin e Prillit dhe të Qershorit në nivelet bachelor dhe master, të organizohen në këtë mënyrë:

Afati i Prillit

Paraqitja e provimeve do të bëhet prej 27.05.2020  e deri më 31.05.2020, kurse mbajtja e provimeve do të organizohet nga 01.06.2020  deri më  07.06.2020, derisa vendosja e notave duhet te behet deri më 14.06.2020

Sipas vendimit të Senatit nga mbledhja e fundit,  në Afatin e Prillit lejohet paraqitja  vetëm e dy provimeve.

Afati i Qershorit

Paraqitja e provimeve do të bëhet prej 15.06.2020 dhe do të zgjasë deri më 18.06.2020, ndërsa mbajtja e provimeve do të fillojë nga 19.06.2020 deri më  17.07.2020, kurse vendosja e notave  në SEMS duhet të bëhet deri më 19.07.2020

Në ndërkohë do të organizohet edhe afati i Qershorit për Diplomim, ku paraqitja e provimit të diplomës do të organizohet prej datës: 20.07.2020, ndërsa mbrojtja e temave do të bëhet deri më 30.07.2020.

Njëherësh menaxhmneti ka paraparë edhe disa udhëzime gjatë mbajtjes së provimeve:

  1. Numrin e studentëve nëpër salla e përcaktojnë Dekanët, gjithnjë duke e ruajtur distancën mes tyre.
  2. Provimet do të mbahen nga ora 9:00 deri në ora 18 :00
  3. Secili grup i studentëve duhet të ketë test të veçantë
  4. Secili studentë por edhe profesorët duhet të kenë masat mbrojtëse
  5. Në çdo kat të objektit duhet të ketë dezinfektues
  6. Dekanët duhet t’i sigurojnë zëvendësimet për secilin profesorë të cilët nuk mund të vijnë nga Maqedonia apo Lugina
  7. Dekanët duhet t’i paralajmërojnë profesorët që nuk duhet të shkaktojnë vonesa por tu përmbahen afateve të cekura më lartë.

Ndërsa për studimet master, organizimin e provimeve do ta bëjnë koordinatorët e programeve.

Gjatë kësaj mbledhje është diskutuar edhe për përmbylljen e ligjëratave të semestrit veror, i cili  edhe pse është realizuar në distancë është vlerësuar se i ka kaluar pritshmëritë,  pasi një numër shumë i madh i studentëve i kanë ndjekur ligjëratat  online.

Për këtë, Rektori Prof. Asoc. Dr. Bajram Kosumi ka falënderuar të gjithë, sepse siç ka thënë ai, ky sukses nuk do të ishte i mundur pa angazhim të përbashkët.

Rektori njëherësh ka ftuar profesorët që mos ti paralizojnë studentët të cilët për arsye të ndryshme nuk kanë mundur të qasen në ligjërata, pasi që kjo kohë e mësimit online ka qenë jo e zakonshme.