Menaxhmenti i UKZ-së po merr pjesë në punimet e projektit e-VIVA që po zhvillohen në Lisbonë

Qershor 18, 2019

Me një eksperiencë të mirë dhe të qëndrueshme, Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan ka arritur të jetë partner edhe i një projekti tjetër ndërkombëtar bashkë me disa Universitete tjera të Bashkimit Evropian.

Kështu, Rektori i UKZ-së, Prof. Asoc. Dr. Bajram Kosumi, Prorektori për bashkëpunim Ndërkombëtar Prof. Ass. Dr. Dukagjin Leka dhe zyrtarja për marrëdhënie me jashtë Luljete Berisha,  po qëndrojnë në Lisbonë të Portugalisë, ku po zhvillohen punimet në kuadër të projektit Erasmus+ e-VIVA.

Projekti e-VIVA ka të bëjë me metodat e reja të të mësuarit në Institucionet e Arsimit të Lartë me qëllim të ngritjes së kompetencave dhe njohurive për edukim sa më cilësor.

Objektivat specifike të projektit e-VIVA janë:

  • Identifikimi dhe analizimi i qasjeve për aftësim dhe validim të provave për të nxitur përshkueshmërinë midis arsimit të lartë dhe praktikës profesionale;
  • Zhvillimi dhe rafinimi i sistemeve të vlerësimit dhe validimit të bazuar në TIK;
  • Pasurimi i sistemeve ekzistuese të validimit dhe certifikimit;
  • Zhvillimi dhe aplikimi i një softueri të pasur të zhvillimit të kompetencës dhe validimit për shkathtësitë dhe kompetencat e lidhura me shërbimin;
  • Aplikimi i sistemit të vlerësimit dhe evidentimit të e-VIVA;
  • Krijimi i një bashkëpunimi të qëndrueshëm ndërmjet grupeve relevante të synuara dhe palëve të interesuara.

Ky është një projekt i financuar nga Erasmus + me 16 partnerë, për një kohëzgjatje prej tre vjetësh.

Partneriteti përbëhet nga universitete nga BE dhe Ballkani Perëndimor si: Unternehmensberatung GmbH (Austria), Blended learning institutions’ cooperative / blinc eG (Germany),  Universiteti i Duisburg Essen / UDE (Gjermani), Universiteti Nova de Lisboa (Portugali),  Universiteti i Malit të Zi,  Universiteti i Donja Gorica, Universiteti Evropian i Tiranës, Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”,  Ss. Universiteti i Kirilit dhe Metodit, Universiteti Nënë Tereza, Universiteti i Sarajevës, Shkolla e Shkencës dhe Teknologjisë në Sarajevë (SSST),  Universiteti “Kadri Zeka” Gjilan, Kolegji Universum, Universiteti i Nishit dhe Universiteti i Novi Sadit.