Menaxhmenti UKZ-së është pritur në një takim nga drejtori i Industrisë së Mishit Calabria “Natura” në Gjilan

30 Korrik, 2022

Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Prof. Dr. Bajram Kosumi me bashkëpunëtorët e tij, është pritur në një takim nga Xhelal Selimi, drejtor i Industrisë së Mishit Calabria “Natura”, njëherësh kryetar i Bordit Industrial në UKZ.

Ata po ashtu kanë vizituar produktet edhe pjesën ku bëhet prodhimi i mishit të freskët, suxhukut, sallamit, proshutës dhe produkteve të tjera nga mishi, të cilat kanë një cilësi mjaft të lartë. Me këtë rast panë nga afër procesin se si bëhet organizimi i operacioneve në prodhim, që nga faza fillestare e deri tek ajo përfundimtare.

Rektori Prof. Dr. Bajram Kosumi, ka falënderuar drejtorin e Industrisë së Mishit Calabria ”Natura” për pritjen, ku njëherësh ka përgëzuar për punën, për sukseset dhe brendin që ia ka sjell Gjilanit dhe për gjenerimin e vendeve të punës.

Kurse z. Xhelal Selimi ka falënderuar menaxhmentin e UKZ-së për vizitën. Ai ndër tjerash ka thënë se mishi i përpunuar në Industrinë e Mishit Calabria “Natura” është i pastër, i kontrolluar dhe i monitoruar vazhdimisht, prandaj edhe cilësia është mjaft e lartë.