Mësimi virtual i UKZ-së po zhvillohet normalisht

26 Mars, 2020

Universiteti “Kadri Zeka” më 20 mars 2020, ka filluar me mësim virtual për të gjithë studentët e tij. Kështu Rektori i Universitetit, Prof. Asoc. Dr. Bajram Kosumi në bazë të përgjegjësive që i jep Statuti i Përkohshëm i Universitetit, dhe pas konsultimeve me udhëheqjen e UKZ-së, prorektorët, dekanët, stafin akademik, studentët, stafin administrativ, po ashtu në konsultim edhe me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe në marrëveshje me Konferencën e Rektorëve të Universiteteve Publike në Republikën e Kosovës, ka marrë vendim  për fillimin e mësimit onlajn, mbajtjen e ligjëratave dhe ushtrimeve, përmes platformave:

  • ttps://meset.google.com
  • E-learning, Moodle të UKZ

Mësimi virtual ka ardhur në kohën  kur COVID-19 është shpallur pandemi dhe qeveria e vendit ka marrë vendim për mbyllje të institucioneve arsimore.

Rektori i Universitetit ‘’Kadri Zeka’’ në Gjilan, Prof. Asoc. Dr. Bajram Kosumi, ka thënë se është i sigurt se sado në kushte të inponuara nga pandemia, mësimi virtual do të ngrit nivelin e përdorimit të teknologjisë informative në procesin e arsimit të lartë në Republikën e Kosovës dhe me këtë po hapim një kapitull të ri modern në arsimin e lartë.

Kjo mënyrë e mbajtjes së ligjëratave ka  dëshmuar interesim dhe pjesëmarrje të kënaqshme të stafit dhe studentëve në mësim virtual.

Studentët kanë deklaruar që mësimi virtual, ndonëse eksperiencë e re për ta,nuk dallon nga ligjëratat e mbajtura deri me tani në klasa fizike.

Dafinë Bajrami studente e vitit të III-të, programi fillor në Fakultetin e Edukimit,  duke treguar rrjedhën e mësimit online, ka thënë se kjo përvojë e re e mësimit vitual që ka filluar këto ditë është shumë e mirë. ‘’Fillimisht na vjen njoftimi ne e-mail për orën dhe datën e mbajtjes së lëndës, gjithashtu kemi mundësi ta konfirmojmë apo jo pjesëmarrjen. Ne njoftohemi paraprakisht nga kryesia e grupit, ku ata marrin linkun që dërgohet nga profesori ose profesoresha e lëndës. Kur hymë në ligjëratën online profesori apo profesoresha pret deri sa të inkuadrohen të gjithë. Ligjërata zhvillohet gjersa profesori prezanton sllajdet dhe i paraqet ato në ekran.  Në ndërkohë ne kemi të drejtë të inkuadrohemi apo të bëjmë pyetje. Gjatë aktiviteteve po ashtu aktivizohen të gjithë studentët. Në ligjëratat online merret parasysh evidenca dhe aktiviteti, pasi që këtë e kanë konfirmuar profesorët që kemi mbajtur deri tani me ta. Gjithashtu mund edhe të prezantojmë punimet tona në ligjëratën online, pasi edhe na u janë dhënë punimet seminarike’’.

Dafina ka thënë se përparësitë e këtij lloj mësimi janë, sepse sipas saj, studentët kanë më shumë kohë, mund ta kalojë edhe kohën e caktuar të ligjëratave apo ushtrimeve, nuk brengosen se si dukemi, pasi që nuk shihemi nga të tjerët, mund të ndërrojnë orën e ligjëratës, etj. Kurse sa i përket mangësive, studentja Dafina Bajrami thotë se çdo punë i ka edhe të metat e saj, kështu  ajo thotë se ndonjëherë ka probleme teknike, ku  vonohet njoftimi me email, por studentët njoftohen edhe në mes vete, ndonjëherë ngatërrohet linku, dhe duhet të krijohet një link i ri për atë ligjëratë, porse sipas saj, të gjitha këto janë gjëra që tejkalohen.

Kurse Granit Musliu student i vitit të fundit në Fakultetin Juridik, ka thënë se në këtë kohë të pandemisë,  mësimi online është zgjidhja më e mirë e mundshme për të evituar humbjen e ligjëratave.

Edhe  Prof. Ass. Dr. Lindita Nebiu Hyseni, profesoreshë në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike në UKZ, thotë se mesimin online është i mirë, dhe i vetmi dallim sipas saj, është sepse nuk jemi fizikisht në klasë!

“Dallimi i vetëm i ligjërimit online është se nuk jam fizikisht ne klase! E them këtë me përgjegjësi sepse edhe me parë për çdo lëndë kam përdorur së bashku me asistentët dhe studentët sistemin informativ për mësim për te gjitha proceset ne kuadër të lëndëve që jam përgjegjëse. Vetëm ligjërimi, ushtrimet, konsultimet për provime, konsultimet javore ishin fizikisht në klasë, sepse materialet e ligjëratave, ushtrimet e përgatitura sipas ligjëratave, detyrat, projektet, rezultatet, njoftimet e ndryshme për te gjitha proceset e lëndës janë bërë nëpërmjet sistemit informativ për mësim’’, ka thënë mes tjerash profesoresha Nebiu Hyseni.

Rektori i Universitetit ‘’Kadri Zeka’’ në Gjilan, beson fuqishëm se mësimi online është rrugë më e mirë edhe për procesin akademik në UKZ, por edhe për ruajtjen e shëndetit të studentëve e të stafit akademik, gjatë periudhës së izolimit nëpër shtëpitë tona për shkak të pandemisë COVID -19.

Rektori bënë thirrje që të respektohen me përpikëri vendimet mbrojtëse ndaj pandemisë COVID-19, të marra nga Qeveria e Kosovës, duke pasur kujdes të shtuar në mbrojtje të shëndetit të të gjithëve.