Mirënjohja është tregues se UKZ nuk i harron studentët e Alumnit të cilët janë pasqyra e Universiteti

22 Mars, 2021

Armend Ahmeti student i diplomuar i Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, tani avokat në Odën e Avokatëve të Kosovës, shprehet thellësisht mirënjohës dhe gjithmonë falënderues ndaj Rektorit Prof. Dr. Bajram Kosumi, i cili në përvjetorin e 8-të të themelimit të UKZ-së, i ndau mirënjohje për bashkëpunim të shkëlqyeshëm me Universitetin si student alumni.

Armendi thotë se, mirënjohja për të ka vlerë të veçantë dhe jashtëzakonisht të rëndësishme sepse, siç thotë ai, e bënë të kuptoj se mundi, puna e angazhimi respektohen e çmohen nga udhëheqësit e Universitetit dhe më jep kurajo të vazhdoj të kontribuoj edhe më shumë për të mirën e Universitetit  “Kadri Zeka”.

Armendi është i bindur se ekziston një bashkëpunim mjaft serioz dhe i frytshëm ndërmjet studentëve Alumni dhe UKZ-së, por që ky bashkëpunim duhet të përforcohet edhe më shumë. Bazuar në qasjen afirmative të menaxhmentit të UKZ-së e në veçanti Rektorit Prof. Dr. Bajram Kosumi si student Alumni, Armendi beson se do të vazhdojë të bashkëpunojë në ngritjen e kapaciteteve në fusha të ndryshme, siç është zhvillimi i Zyrës për Studentë Alumni.

“Jam i bindur se kjo mirënjohje për bashkëpunim të shkëlqyeshëm është një motiv më shumë për të gjithë studentët Alumni, sepse është shenjë se menaxhmenti i UKZ-së nuk i “harron” studentët e Alumnit të cilët janë pasqyra e Universitetit dhe ashtu konsiderohen në shtetet perëndimore, është shënim i mirënjohjes dhe falënderimit dhe inspirim për vazhdimin e një bashkëpunimi të mëtutjeshëm ndërmjet studentëve Alumni dhe Universitetit “Kadri Zeka”, thotë studenti Alumni Armend Ahmeti.