Misioni i OSBE-së në Kosovë ka organizuar ligjëratë në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan për qeverisjen e mirë

23 Nëntor, 2017

Në universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan , Misioni i OSBE-së në Kosovë ka organizuar  ligjëratë  për qeverisjen e mirë.

Prorektori Dukagjin Leka në emër të menaxhmentit të UKZ-së, falënderoi përfaqësuesit e OSBE-së për organizimin e kësaj ligjërate dhe për mundësinë që po ofrojnë për studentët dhe të interesuarit e tjerë. Ai tha se: “Është një mundësi jashtëzakonisht e mirë për studentët, por edhe për të gjithë ata që janë të interesuar, që të ofrohet  ky aktivitet që organizohet nga OSBE-ja”. Prorektori Leka tha se, Universiteti “Kadri Zeka ” në Gjilan, gjithnjë është i hapur për organizime që janë në interes të studentëve dhe  vetë Universitetit por dhe gjithë shoqërisë në përgjithësi.

Kryesuesja e këtij organizimi, profesoresha Sadete Tërnava Osmani, njoftoi të pranishmit rreth temës për qeverisjen e mirë, për të cilin mbajti me pas ligjëratë, Nexhmendin Spahiu.

Ndërkaq ligjëruesi Nexhmendin Spahiu, gjatë ligjëratës së tij, trajtoi  çështje kritike të qeverisjes dhe para pjesëmarrësve – studentëve, ekspertëve, përfaqësuesve të OJQ-ve dhe medieve – propozoi disa  mundësi që mund të shpien në politika më të mira.

Ai gjatë ligjëratës “Qeverisja ka rëndësi”, tha ndër tjerash se : “Qeverisja e mirë kërkon qeveri të aftë dhe llogaridhënëse si dhe qytetarë të përgjegjshëm dhe të informuar, por njëherësh kjo është përgjegjësi e përbashkët” ka thënë ligjëruesi Spahiu.

Pas ligjëratës, u hap diskutimi për pyetje nga të pranishmit në audience të cilave iu përgjigj ligjëruesi Nexhmedin Spahiu.