Në Fakultetin e Edukimit dhe Fakultetin Ekonomik të Universitetit “Kadri Zeka” janë mbajtur sot provimet pranuese për studime baçlor

Rreth 600 ish-nxënës të shkollave të mesme kanë aplikuar për statusin e studentit në Fakultetit të Edukimit në  Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan. Por, vetëm 200 prej tyre do të gëzohen nga njoftimi për rezultatet e provimit pranues në këtë njësi akademike të UKZ-së. I pari i Universitetit “Kadri Zeka”, Bajram Kosumi, gjatë ditës së sotme vizitoi kandidatët për studentë dhe stafin akademikë e administrativë të Fakulteti të Edukimit dhe ata të Fakultetit Ekonomik, të cilët morën pjesë në realizimin e procesit të provimit pranues. Rektori gjatë vizitës ishte i shoqëruar nga prorektorët dhe dekanët e njësive akademike.

Rektori Bajram Kosumi u uroi sukses të gjithë kandidatëve, si dhe i siguroi ata për korrektësi në vlerësim, duke mos harruar të përmend që këta studentë të ardhshëm kanë bërë zgjedhjen e duhur duke zgjedhur të studiojnë në Universitetin “Kadri Zeka” i cili është i vetmi në Kosovë që ka të gjitha programet e akredituara.

Rektori Kosumi dje vizitoi edhe njësitë e tjera akademike atë të Fakultetit Juridik dhe të Shkencave Kompjuterike  ku janë mbajtur provimet për pranimin e studentëve në vitin e parë të studimeve themelore – baçelor, në vitin akademik 2017/2018.

Ndryshe në këtë konkurs  kanë aplikuar rreth1200 maturantë për katër fakultet me gjithsej shtatë programe studimi.

Universiteti “Kadri Zeka”, në afatin e dytë të studimeve baçlor,  për vitin akademik 2017-2018 do të regjistrojë 1192 studentë të rregullt, ku përfshihen edhe studentë nga  Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, si dhe nga komunitetet jo-shumicë.

Shpallja e rezultateve përfundimtare të provimit pranues për baçelor do të bëhet, më së voni, deri më 22.09.2017 në ueb faqen zyrtare të Universitetit, www.uni-gjilan.net

Gjithashtu, është paraparë edhe periudha e ankimit, kandidatët që refuzohen mund t’i paraqesin ankesë Komisionit për ankesa, brenda 48 orëve pas shpalljes së rezultateve. Pas këtij afati, ankesat nuk do të pranohen.