NË PRAG TË FESTAVE TË NËNTORIT UKZ HAP THIRRJE PËR ESE- GARË ESEISTIKE

16 Nëntor, 2019

Të dashur studentë,

 

Kemi kënaqësinë të hapim thirrjen e radhës me karakter garues për krijimet (esetë) tuaja, për nder të Festave të Nëntorit.

Meqë jemi në muajin nëntor, tematika e esesë duhet të jetë e ndërlidhur me ngjarjet që simbolizojnë Nëntorin e Madh; muajin shënjues të përpjekjeve të intelektualëve guximtarë, të zhvillimeve gjuhësore e arsimore, të arritjeve historike e kombëtare për mbarë popullin tonë: Nëntorin e Skënderbeut, Nëntorin e Kongresit të Manastirit, Nëntorin e Kongresit të Drejtshkrimit, Nëntorin e Ismail Qemalit dhe Isë Boletinit, Nëntorin e Pavarësisë së Shqipërisë, Nëntorin e Ditës së Flamurit, Nëntorin e datëlindjeve të komandantëve legjendarë- Adem Jasharit dhe Zahir Pajazitit, Nëntorin e rënies heroike të Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut, Nëntorin e daljes publike të UÇK-së, si dhe përgjithësisht për rrjedhat historike, kulturore dhe arsimore të popullit shqiptar.

Sqarim: Esetë pjesëmarrëse nuk duhet të jenë të publikuara më parë, as të marra nga autorë të tjerë, pasi juria profesionale do t`i klasifikojë secilën ese veҫ e veҫ. Sa i përket pjesës teknike, esetë duhet t`i përmbahen standardeve të përcaktuara, si: formati i letrës të jetë A4, të shkruhet në programin Word, me fontin Times New Roman, madhësia e shkronjave të jetë 12, përveҫ titullit të esesë që mund të jetë 14 ose 16, hapësira ndërmjet rreshtave të jetë 1.5, si dhe si tërësi eseja duhet të përmbajë më së paku 150 fjalë dhe më së shumti deri në 300 fjalë.

Gjithashtu, esetë  duhet të dorëzohen të mbyllura në zarf të bardhë, duke shënuar të dhënat e studentit/es; emri dhe mbiemri, programi i studimeve, si dhe një kod (shifër) të zgjedhur nga vetë ju si pjesëmarrës.

Gara është e hapur për të gjithë studentët e interesuar të të gjitha drejtimeve të Universitetit të Gjilanit “Kadri Zeka”, që dëshirojnë t`i shprehin aftësitë e tyre krijuese dhe të garojnë me punimet e tyre.

Juria profesionale do të bëjë përzgjedhjen e tri eseve më të mira, të cilat do të publikohen gjatë një programi publik, të organizuar nga profesorët në bashkëpunim me studentët e UKZ-së.

Tri esetë fituese do të lexohen dhe do të shpërblehen si vijon:

Vendi I = 150E

Vendi II = 100E

Vendi III = 50E

Thirrja për konkurrim është e hapur nga 18 deri më 25 nëntor 2019.

Esetë dorëzohen në zyrën e administratës së Rektoratit, ose mund të kontaktoni me Këshillin organizativ, i përbërë nga:

Prof. Ass. Dr. Nevrije Bislimi- Ismaili

PhD.C. Liridona Mehmeti

PhD.C. Rina Rasimi

Numrat kontaktues:

044/208-722

044/737-918

045/525-561

Ju ftojmë t`i bashkëngjiteni kësaj gare dhe t`i shpalosni aftësitë krijuese…

I mirëpresim kontributet tuaja!