Në UKZ është mbajt sesion informues për Aplikim në programin Global UGRAD 2019-2020

Zyrtarë nga zyra Amerikane në Kosovë, kanë qëndruar në UKZ, ku janë pritur nga Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar Dukagjin Leka, i cili në emër të Rektorit Bajram Kosumi ka falënderuar zyrën Amerikane për ofrimin e mundësive të mira për studentët e UKZ-së.

Ndërkohë zyrtarët e zyrës Amerikane në Kosovë, para studentëve të Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, kanë mbajtur session informues rreth Programit Global të Shkëmbimit Studentor (Global UGRAD) 2019-2020 që sponsorizohet nga Zyra Amerikane e Shtetit për Çështjet Arsimore dhe Kulturore.

Erin Molnar Mains, Zëvendës Drejtor në Sektorin për Marrëdhënie me Jashtë nga Zyra Amerikane e Shtetit për Çështjet Arsimore dhe Kulturore, ka thënë se ky program ofron  burse të financuar plotësisht për një semestër të studimeve akademike jo-diplomike për studentët e Universitetit “Kadri Zeka” në një kolegj ose universitet të caktuar të SHBA.

Sipas saj, gjatë Programit, pjesëmarrësit Global UGRAD sfidojnë veten për të shqyrtuar shoqërinë amerikane, kulturën dhe të mësuarit akademik, ku njëherësh kanë rastin të marrin pjesë në shërbimin e komunitetit dhe të rrisin aftësitë e tyre profesionale.

Kurse Remzije Potoku nga zyra Amerikane në Kosovë ka thënë se aplikimi për pjesëmarrje në Programin Global UGRAD 2019-2020 është i hapur ndërsa do të mbyllet më 31 dhjetor 2018 në orën 17:00.

Nga ana tjetër edhe të pranishmit patën interesime të ndryshme rreth programit në fjalë.

Për informacionin e aplikimit dhe udhëzimet, ju lutemi vizitoni aplikacionin Global UGRAD online.