Në UKZ është mbajtur diskutim në lidhje me Klinikat Juridike me raste reale

22 Nëntor, 2019

Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan dhe Universiteti “Hasan Prishtina” në Prishtinë, respektivisht Fakulteti Juridik, me mbështetjen e Aktiviteti i USAID-it Drejtësia Vlen dhe në bashkëpunim me Odën e Avokatëve të Kosovës, kanë organizuar diskutimin në lidhje me “Klinikat Jurdike me raste reale”.

Hapjen e këtij organizimi e ka bërë Dukagjin Leka, prorektor për Bashkëpunim Ndërkombëtar, i cili u ka dëshiruar mirëseardhje të pranishmëve.

Rektori i Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, Bajram Kosumi, në fjalën e tij ka thënë se qasja në Drejtësi është një parim themelor i sundimit të ligjit. Në këtë drejtim Klinikat Juridike me raste reale luajnë një rol të rëndësishëm për përmirësimin e qasjes në drejtësi për të gjithë, ka thënë pos tjerash Rektori Kosumi.

Kurse Edona Ahmetaj, Drejtoreshë e aktivitetit të USAID-it Drejtësia Vlen, ka thënë se kjo ditë është e rëndësishme dhe e veçantë pasi që  shënon pikënisjen e një projekti madhor për të zgjeruar projektin sikurse në  klinikën juridike me raste të vërteta ehe me klinika të tjera.

Në emër të Odës së Avokatëve të Kosovës, të pranishmit i ka përshëndetur Flamur Ahmeti nga OAK në Gjilan, i cili ka thënë se institucioni i tyre është i përkushtuar që të përkrah këtë nismë që është mjaft e rëndësishme për drejtësinë kosovare.

Flutura Berbati Zena, udhëheqëse e Divizionit  për Ndihmë Juridike Falas, ka përgëzu të gjithë për jetësimin e praktikave për ndihmë juridike falas, sepse sipas saj, e gjithë kjo ndikon që studentët pas studimeve në Fakultetin Juridik, në të ardhmen të dalin juristë profesional.

Mësimet e marra në Klinikën Juridike me raste reale dhe hapat e mëtejshëm, para pjesëmarrësve i ka paraqitur  Valentina Zeka,  Zyrtare ligjore në Aktiviteti i USAID-it Drejtësia Vlen.

Rreth aplikimit të Klinika Juridike Penale me raste reale në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan, ka folur Profesori Fejzullah Hasani – Koordinator i Klinikës, ndërsa nga Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren ka folur Dardan Vuniqi – Koordinator i Klinikës atje.

Në fund është hapur edhe diskutimi për të pranishmit që ka për qëllim që të forcoj bashkëpunimet e akterëve relevant për jetësimin e Klinikave Juridike me raste reale për të hartuar zgjidhje të përshtatshme dhe të qëndrueshme.

Ndryshe, aktiviteti i USAID-it Drejtësia Vlen është një projekt trevjeçar i financuar nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) për të përmirësuar qasjen në drejtësi për të gjithë, duke përfshirë grupet e pafavorizuara dhe të margjinalizuara përmes forcimit të institucioneve, akterëve dhe proceseve për ofrimin e shërbimeve të ndihmës juridike, dhe informacionit.