Në UKZ është mbajtur ligjëratë në kuadër të javës kundër korrupsion

11 Dhjetor, 2018

Agjencia Kundër Korrupsionit, respektivisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit,  ka organizuar një ligjëratë me temën: “Luftimi i  veprave penale të korrupsionit”.

Para studentëve të Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan dhe pjesëmarrësve të tjerë,  Kapiten Luan Ibrahimi, shef i hetimeve kundër krimeve ekonomike dhe korrupsionit në Prishtinë  dhe Toger Afrim Krasniqi, Shef i hetimeve kundër krimeve ekonomike dhe korrupsionit në Gjilan,  kanë  folur rreth  mekanizmave të luftës kundër korrupsionit në Kosovë dhe aspektet operacionale të punës .

Në ndërkohë ata kanë informuar të pranishmit mbi misionin, mandatin, rolin dhe përgjegjësitë e Agjencisë Kundër Korrupsionit, praktikat dhe procedurat e punës në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit dhe aspektet e bashkëpunimit dhe bashkërendimit të veprimeve me organizata dhe institucionet tjera.

Gjatë kësaj ligjërate është folur edhe për të arriturat dhe sfidat me të cilat përballet institucioni në kryerjen e detyrave brenda përgjegjësive të përcaktuara me ligj.

Nga ana tjetër , studentët e UKZ-së  janë interesuar për tema të ndryshme që ndërlidhen me korrupsionin, bashkëpunimin me institucionet e tjera, procedurat hetimore, trajtimin e rasteve,  etj..

Kjo ligjëratë është realizuar në vazhdën e aktiviteteve, “Java Anti-Korrupsion”, që ka filluar nga data: 09.12.2018 dhe do të zgjasë deri më  14.12.2018, që ka për qëllim zgjerimin e partneritetit me institucionet akademike që ka për synim rritjen e standardeve profesionale përmes një bashkëpunimi të planifikuar, si dhe veprimtarive për ndërgjegjësimin e publikut mbi rëndësinë e luftimit të korrupsionit.