Në UKZ është mbajtur ligjëratë në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Parasë

15 Mars, 2018

Banka Qendrore e Republikës se Kosovës, në kuadër të Javës së Parasë, ka mbajtur ligjëratë  në Universitetin Publik ”Kadri Zeka” në Gjilan.

Ligjëratën  me temën: “Roli dhe funksionet e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës”  para studentëve të UKZ-së e ka mbajtur Nexhat Miftari , Drejtor i Departamentit të Mbikëqyrjes së Sigurimeve në BQK.

Paraprakisht udhëheqës të BQK-së janë pritur në një takim nga Rektori i UKZ-së Bajram Kosumi, për të vazhduar më pas me ligjëratën.

Ndërkohë ligjërata në fjalë sipas Nexhat  Miftari , Drejtor i Departamentit të Mbikëqyrjes së Sigurimeve në BQK,  organizohet në kuadër të edukimit financiar  dhe  fushës  së kursimeve me qëllim të ndërgjegjësimit të fëmijëve, nxënësve dhe të rinjve në përgjithësi.

Sipas tij qëllimi i këtij organizimi  me moton: “Mëso, Kurse, Fito”, mëson se si paratë duhet të shpenzohen vetëm për gjërat të cilat keni nevojë që t’i  keni dhe jo domosdo  për gjërat që dëshironi t’i keni. Në afat të gjatë është shumë më mirë që paratë të cilat i shpenzoni për gjërat që dëshironi t’i keni dhe jo pse keni nevojë, t’i ruani ato në formë të kursimeve, sepse paraja e kursyer është para e fituar”, ka potencuar drejtori Miftari.

Ai ka shtuar se fuqia e një centi apo një euroje është shumë e madhe, fuqi e cila kuptohet vetëm në dyqan, kur është dëshira për të blerë diçka, por mungon një cent apo një euro për ta blerë atë.