Në UKZ është mbajtur takim informues për Aplikim në Raundin e 12-të, të Skemës Young Cell, Programi i BE-së për bursa post-diplomike

19 Nëntor, 2018

Zyrtarë të Bashkimit Evropian në Kosovë,  kanë mbajtur në Universitetin “Kadri Zeka” takim informues për Aplikim në Raundin e 12-të, të Skemës Young Cell, Programi i BE-së për bursa post-diplomike.

Ky takim është organizuar,  pasi që zyra e Bashkimit Evropian dhe Ministria e Integrimit Evropian, kanë hapur e konkursin për Raundin e 12-të të aplikimit në Skemën Young Cell, programi i BE-së për bursa post-diplomike për Kosovën, i cili aktualisht është duke u implementuar nga British Council.

Sipas zyrtarëve, aplikimi  është i hapur nga e hëna, 12 nëntor 2018 deri të hënën,03 dhjetor 2018.  Ata kanë thënë se kandidatëve të suksesshëm do t’iu ofrohet mundësia të studiojnë për Programe Master një vjeçare në universitete të shteteve anëtare të BE-së.

Sipas tyre, programi i Bursave, gjuha e punës e së cilit është vetëm gjuha angleze, do të ofroj deri në 40 bursa të plota (numri real i bursave të ofruara mund të jetë më i vogël varësisht nga përshtatshmëria e kandidatëve dhe fondet në dispozicion). Kjo ftesë do të jetë e hapur për popullatën e përgjithshme dhe shërbyesit civil (deri në 10% të numrit të përgjithshëm të bursave të ofruara) dhe për studentët e diplomuar në fakultetet si: juridik, shkenca politike, ekonomik, menaxhment i biznesit, shkenca shoqërore, histori, shkenca humane, marrëdhënie ndërkombëtare, diplomaci, kriminologji dhe fusha të tjera akademike.

Studentët pjesëmarrës në këtë takim shprehen interesimet e tyre të ndryshme rreth programit në fjalë.