Në UKZ është mbajtur takimi i parë i partnerëve për fillimin e projektit në HERAS

Universiteti Publik  “Kadri Zeka” në Gjilan në bashkëpunim me Universitetin e Salzburgut për Shkenca Aplikative nga Austria dhe partnerët e saj –  Universitetet Publike në Republikën e Kosovës, Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë, Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë, Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë, Universitetin e shkencave të Aplikuara në Ferizaj, ditë më parë  kanë fituar projektin ndërkombëtar nën programin HERAS “Higher Education Research and Applied Sciences in Kosovo”, program që financohet nga Austrian Development Cooperation dhe Republika e Kosovës, respektivisht Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Si rrjedhojë e kësaj sot në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan, rektorët e Universiteteve të cekura më lartë dhe përfaqësues të projektit HERSA kanë zhvilluar takimin e parë për fillimin e projektit,  “Promoting International Relations in the Higher Education in Kosovo/Promovimi i Bashkëpunimit Ndërkombëtar në Arsimin e Lartë në Kosovë”.

Fillimisht Bajram Kosumi,  Rektori i Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, falënderoi të gjithë ata që kontribuuan dhe punuan që ky projekt të fitohet dhe të ketë rezultatet e veta në implemtim.

Rektori Kosumi ka thënë se është kënaqësi që sot po fillojmë një projekt të përbashkët dhe do të punojmë në vazhdimësi që proceset ti qojmë përpara.

Më pas Rektori Bajram Kosumi ka paraqitur para pjesëmarrësve një historik të Universitetit,derisa në ndërkohë ka folur edhe rreth punës, zhvillimeve dhe të arriturat e UKZ-së, për fakultetet dhe programet të cilat funksionojnë në kuadër të Universitetit, rreth marrëveshjeve dhe bashkëpunimeve Institucionale dhe aktiviteteve të tjera.

Përfaqësuesja e projektit “HERAS”, Arbëresha Meha tha se projekti “Heras” ka  për qëllim të kontribuojë në funksionimin e mirë të Arsimit të Lartë dhe Hulumtimeve në Kosovë në linjë me parimet e Zonës Evropiane të Arsimit të Lartë (EHEA) dhe zonës Evropiane të Hulumtimeve (ERA) me objektivë afatgjatë për të përkrahur zhvillimin socio-ekonomik të vendit.

Edhe drejtues të  Universitetit të Salzburgut për Shkenca Aplikative nga Austria, Ramë Vataj Rektor i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, Fadil Millaku Rektor i Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, Shaban Buza Rektor i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, Alush Musaj Rektor i  Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë dhe  Bujar Pira prorektor i Universitetit të shkencave të Aplikuara në Ferizaj kanë prezantuar punën dhe të arriturat e Universiteteve që ata drejtojnë.

 

 

Me pas puna e takimit është fokusuar në  rritjen e kapaciteteve për gjashtë universitetet publikë në Kosovë, se si të ngrisin cilësinë në bashkëpunimin ndërkombëtar, duke vendosur themelet e krijimit të zyrave funksionale për bashkëpunim ndërkombëtar në arsimin e lartë në Republikën e Kosovës, që njëherësh është edhe qëllimi i projektit.

Duke pasura parasysh se asnjë nga universitetet e reja publike në Kosovë nuk ka kapacitete për të menaxhuar projektet dhe madje asnjëri prej tyre nuk ka krijuar një zyrë të tillë, në një kohë kur mbi 50% e studentëve në institucionet e arsimit të lartë evropian po studiojnë në formën e programeve ndërkombëtare dhe kur një pjesë e rëndësishme e jetës universitare merr pjesë në formën e shkëmbimeve të ndryshme (përmes programeve të tilla si Erasmus +),  është shumë  e rëndësishme të ndërtohen kapacitetet përkatëse në të gjitha universitetet publike të reja të Kosovës, është thënë mes tjerash në takimin e sotëm të parin mes partnerëve për fillimin e projektit në HERAS

Ndryshe, Projekti “HERAS- Arsimi i Lartë, Hulumtimi  dhe Shkencat e Aplikuara në Kosovë” financohet nga Agjencia Austriake për Zhvillim- ADA, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit të Kosovës.  Projekti do të zgjasë tri vjet dhe do t’i kontribuojë zhvillimit të arsimit të lartë, stimulimit të punës kërkimore- shkencore brenda universiteteve për të ndihmuar zhvillimin socio-ekonomik të vendit.