Në UKZ INJECT ka prezantuar publikimin “Ndryshimi i Ligjit për Familjen – Pasuria e përbashkët dhe mbajtja financiare”

21 Mars, 2019

Iniciativa për Barazi dhe Drejtësi (INJECT) në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan,  ka prezantuar publikimin “Ndryshimi i Ligjit për Familjen – Pasuria e përbashkët dhe mbajtja financiare”.

Prezantimin e ka bërë drejtoresha e INJECT-it, Luljeta Aliu, e cila ka thënë se dhuna ekonomike i mundëson format e tjera të dhunës në familje. Si dhunë ekonomike definohet mohimi i qasjes në pronën dhe pasurinë e përbashkët bashkëshortore, mohimi i qasjes personale në të ardhurat materiale të familjes, mohimi i punësimit, detyrimi i dorëzimit të pagës një personi tjetër të familjes etj.

Drejtoresha Aliu ka thënë se për këtë arsye kjo analizë është fokusuar në dispozitat ligjore në lidhje me ndarjen e pasurisë së përbashkët.

Gjithashtu  është diskutuar edhe për nenet rreth mbajtjes financiare të bashkëshortit pas prishjes së martesës, meqë edhe këto dispozita lidhen drejtpërdrejtë me gjendjen ekonomike të gruas.

Në këtë ngjarje ka pasur edhe diskutim të hapur mes studentëve pjesëmarrës në këtë organizim, të cilët kanë paraqitur mendimet e tyre rreth  Ligjit për Familjen – Pasuria e përbashkët dhe mbajtja financiare.