Në UKZ prezantohet gjuha e shenjave

12 Shkurt, 2021

Gjatë diskutimit publik të Strategjisë Zhvillimore të Universitetit “Kadri Zeka” me hisedarët e jashtëm, ka pasur propozime që gjuha e shenjave të futet si lëndë në Fakultetin e Edukimit. Për këtë sot është mbajtur një prezantim i ligjërimit të kësaj lënde nga Shpresa Sejdiu, drejtoreshë e Qendrës edukative për fëmijët me nevoja të veçanta dhe trajnerë e interpretëve të gjuhës së shenjave.

Gjatë këtij prezantimi ku të pranishëm ishin stafi akademik i UKZ-së dhe studentët, ka pasur mjaft interesim për gjuhën e shenjave.

Gjuha e shenjave është një mjet thelbësor i komunikimit për dhjetëra mijëra njerëz me nevoja të veçanta, të cilët kanë pengesa në të dëgjuar dhe në të folur në të gjithë botën, por në disa vende, fëmijët dhe të rriturit nuk arrijnë të mësojnë fare gjuhën e shenjave, duke iu pamundësuar atyre komunikimin, edukimin dhe zhvillimin personal dhe profesional.

Gjuha e shenjave siç ka thënë edhe trajnerja Sejdiu, do tu shërbejë mësimdhënëseve që do të mësojnë fëmijë me pengesa në të dëgjuar dhe në të folur, por edhe nëpërmjet gjuhës së shenjave do të rritet cilësia e arsimit sepse me mësimin bilingual (gjuhën e shenjave dhe shkrim leximin e gjuhës shqipe) krijohen aftësi për qasje në informacione. Po ashtu nëpërmjet gjuhës së shenjav do të ketë mundësi më të madhe në qasje dhe komunikim cilësor.