Në UKZ promovohen dy libra të autorit Ismail Kastrati

Mars 13, 2019

“Kohë ëndërrimesh” dhe “Kohë zhgënjimesh” janë dy veprat e autorit Ismail Kastrati që sot janë promovuar në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan.

Me këtë rast, kritiku letrar Ramadan Myrtaj, tha se të dy librat trajtojnë jetën dhe veprimtarinë e autorit që nga fëmijëria e deri te mbarimi i luftës më 1999.

“Libri ‘Kohë ëndërrimesh’ trajton jetën dhe veprimtarinë e autorit që nga fëmijëria e deri te mbarimi i luftës çlirimtare në Kosovë më 1999. Ai ka publikuar edhe shumë shkrime publicistike, shkencore, në fushë të ekonomisë, politikës dhe të karakterit shoqëror. Intelektual ekonomist me përgatitje superiore profesionale, Ismajli kreu shumë punë prej eksperti, por ishte edhe drejtues institucionesh të ndryshme, veprimtar i pavarësisë dhe i dënuar politik nga regjimi pushtues. Ky angazhim shumëdimensional i tij i jep librit përmbajtje të pasur dhe kolorit”, tha ai.

Ai u shpreh se gjuha e librit është e pastër, e rrjedhshme dhe e qartë që sipas tij i përshtatet karakterit të veprës.

Për këto dy libra ka folur edhe redaktori Sylejman Demaku, sipas të cilit në to trajtohen ngjarje të mëdha të vendit.

“Librat e Ismail Kastratit ‘Kohë ëndërrimesh’ dhe ‘Kohë zhgënjimesh’ kanë vlerë të çmuar kombëtare, dokumentare, historike. Janë dëshmi kohësh, pasqyrë e ngjarjeve të shumta mbi gjysmëshekullore. Ne hyjmë në jetë kur ka ndodhur shumë gjëra prej qindra mijërash vjetësh dhe është e rëndësishme të mësojmë se çfarë ka ndodhur përpara lindjes sonë. Kjo gjë na ndihmon ta kuptojmë se pse ndodhin kaq shumë ngjarje të reja. Librat që po përurojmë sot pikërisht këtë do të mund ta mësojnë të gjithë brezat që do të vijnë”, u shpreh ai.

Demaku u shpreh se librat do të jenë proces rikujtimi duke ofruar mësime të ndryshme që sipas tij do të jenë të nevojshme për të gjithë brezat.

Ndërsa, profesori Refik Kryeziu tha  se të dy librat e shkrimtarit Ismail Kastratit përveç vlerave, kanë edhe porosi.

Ndërkaq, autori i dy librave Ismail Kastrati, tha se kishte nisur të shkruante vetëm një libër, por më pastaj kishte vendosur që t’i ndante në dy për shkak të ngjarjeve.

“Kohë ëndërrimesh se të gjithë gjenerata jonë ka ëndërruar, ka pasur ideale për një kohë tjetër, sepse kemi qenë të shtypur dhe të robëruar. Qëndresa, aktivitetet, lëvizjet ndikojnë që më në fund edhe ne t’i mobilizojmë forcat dhe në krye me UÇK-në ne të çlirohemi”, u shpreh ai.

Ndërkohë autorin e dy librave “Kohë ëndërrimesh” dhe “Kohë zhgënjimesh” Ismail Kastrati e ka uruar edhe Rektori i Universitetit “Kadri Zeka” ne Gjilan, Bajram Kosumi.