Në UKZ u promovua libri „Siguria Kolektive dhe dilemat rreth intervenimit humanitar ndërkombëtare”

Shkurt 7, 2020

Në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan, është promovuar sot Monografia e titulluar „Siguria Kolektive dhe dilemat rreth intervenimit humanitar ndërkombëtare” Mësime të nxjerra nga rasti i Kosovës” e autorit, Prof.Dr. Dukagjin Leka, njëherësh prorektor për Bashkëpunim Ndërkombëtar në UKZ.

Kjo monografi paraqet një analizë të detajuar të sistemit të sigurisë ndërkombëtare të trasuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Prof. Dr. Abdulla Azizi dhe Prof. Asoc. Dr. Sabiha Shala, pasi kanë uruar autorin për punën e bërë, kanë paraqitur recensionet e tyre për librin monografik „Siguria Kolektive dhe dilemat rreth intervenimit humanitar ndërkombëtare”.

Prof. Dr. Abdulla Azizi ka thënë se kjo Monografi paraqet një kontribut të ri akademik për audiencën  kosovare. Sipas tij, autori bën një analizë të thelluar të instrumenteve në dispozicion të së drejtës ndërkombëtare, nxjer konkluzia me bazë shkencore si dhe jep sugjerime të mëtejshme shkencore në zhvillimin e sistemit të sigurisë ndërkombëtare duke evituar edhe mangësitë e këtij sistemi.

Sipas tij, teksti monografik i autorit Leka, bëhet i rëndësishëm si në kuadrin e një vlere të shtuar për studimet e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe sigurisë ndërkombëtare në mjedisin akademik shqiptar. Autori me një seriozitet shkencor trajton rolin sistemit ndërkombëtar në sigurinë ndërkombëtare tek rajone të ndryshme të krizës, ndërsa veçanërisht e trajton rastin e Kosovës dhe dilemat e intervenimit ndërkombëtar humanitar.

Recensenti Azizi thotë se, duke u bazuar në argumentet e lartëpërmendura, fuqishëm e përkrah botimin e monografisë së Prof. Ass. Dr. Dukagjin Leka, duke thënë se kontributi i tij nga profili i një intelektuali është shumë domethënës për popullin shqiptar në Kosovë dhe më gjërë, ndërsa ky tekst do t’u shërben jo vetëm studentëve dhe profesorëve, por edhe të gjithë të interesuarëve tjerë si studijues të cilët do të merren me këtë problematikë, zyrtarë në institucionet qeveritare apo joqeveritare, si dhe lexuesit në përgjithësi.

Prof. Asoc. Dr. Sabiha Shala duke paraqitur recensionin e saj për librin monografik „Siguria Kolektive dhe dilemat rreth intervenimit humanitar ndërkombëtare, tha se autori shtjellon elemente të veçanta të bazuara në raste, mbi sigurinë kolektive dhe intervenimin humanitar. Është trajtuar roli i Organizatave të përgjithshme ndërkombëtare, baza ligjore e tyre dhe legaliteti i ndërhyrjeve tjera humanitare. Shala thotë se zhvillimi shkencorë i kësaj monografie anën metodologjike e bazon në krahasim, përshkrim dhe interpretim të burimeve, dokumenteve, punimeve shkencore, monografive dhe librave të tjerë shkencorë me impakt ndërkombëtar. Sipas saj, kjo monografi është e pasuruar edhe me pjesë hulumtuese ku autori paraqet fragmente të intervistave të realizuara me personalitete të respektuara të së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.

Libri monografik i autorit Prof. Ass. Dr. Dukagjin Leka, ruan një marrëdhënie sublime me librat e autorëve të huaj, sa i përket çështjes së sigurisë kolektive dhe intervenimit humanitar. Sidoqoftë, autori Leka bënë interpretim unik historik dhe ndërlidhë në mënyrë të përshtatshme veprimet praktike duke nxjerrë përfundime që mbështesin idenë e intervenimit humanitar, ka thënë pos tjerash në recensionin e saj Prof. Asoc. Dr. Sabiha Shala .

Ndërsa në fjalën e tij, Rektori i Universitetit “Kadri Zeka”, Prof. Asoc. Dr. Bajram Kosumi, pasi ka uruar Prof. Ass. Dr. Dukagjin Leka për librin, ka thënë se autorin, ai vë në pah njohuritë e tij shkencore dhe përvojën akademike, duke u kualifikuar si njohës i mirë i disiplinës së trajtuar dhe suksesshëm arrin qëllimin e librit.

Derisa vet autori, Prof. Ass. Dr. Dukagjin Leka ka falënderuar të gjithë ata që kanë ndihmuar në realizimin e botimit të librit të tij monografik, „Siguria Kolektive dhe dilemat rreth intervenimit humanitar ndërkombëtare”.