Në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan u promovua libri “Qytetet e Kosovës gjatë Shekujve XVI – XVIII”

Shkurt 24, 2015

Në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan u promovua libri “Qytetet e Kosovës  gjatë Shekujve XVI – XVIII”  i autorit  Prof.  Dr. Isuf Ahmeti.  Me këtë rast, Naim Syla, u.d.  rektor i universitetit “Kadri Zeka”, dukë uruar autorin për shkrimin e kësaj monografie shkencore, tha se libri është shumë i rëndësishëm sidomos për gjeneratat e reja. U. d. rektori Syla tha se  çmon lartë  këtë aktivitet të sublimimit në një libër të  historisë sonë dhe porositi të pranishmit që mos ta harrojnë të kaluarën.

Kurse për autorin e librit foli, Prof. Dr. Sadik Haxhiu. Ai ndër tjerash  tha se Isuf Ahmeti  për të botuar këtë libër hulumtoi nëpër arkivat e  Kosovës, Maqedonisë, Shqipërisë  e Stambollit dhe se  libri “Qytetet e Kosovës gjatë Shekujve XVI – XVIII” është i përmasave kombëtare që merret me periudhën osmane. Profesori Haxhiu tha se autori i librit, Ahmet Isufi, është historian i arkivave e jo i përshkrimeve.

Në vazhdim foli vet autori I librit, Prof. Dr. Isuf Ahmeti , i cili tha se në historiografinë tonë deri më sot nuk është trajtuar sa duhet dhe në mënyrë sintetike çështja e qyteteve të Kosovës gjatë shekujve XVI-XVIII. Andaj siç tha autori për të grumbulluar fakte, është dashur  të trokasim dyert e arkivave të Stambollit, ngase kjo periudhë që trajton libri shënon një etapë të re për popullin shqiptar.

Libri “Qytetet e Kosovës gjatë Shekujve XVI – XVIII”, flet për një periudhë nëpër të cilën kaloi populli shqiptarë në këta shekuj. Në libër trajtohen  ngjarjet politike, kryengritjet  shqiptare, pakënaqësitë  e shqiptarëve me regjimin osman, zhvillimi kulturor, arsimor, zhvillimi i shkollave osmane e të krishtera, ndërrimi i strukturës fetare e zhvillime të tjera.

 

ia1