Në Universitetin “Kadri Zeka” u mbajtën provimet pranuese

3 Tetor, 2020

Në të gjitha fakultete e Universitetit  “Kadri Zeka”  në Gjilan u mbajtën provimet pranuese për pranimin e studentëve të rinj për vitin akademik 2020/2021 në studimet baçelor dhe master.

Për të parë nga afër këtë proces, Bajram Kosumi Rektor në Universitetin “Kadri Zeka”, së bashku me Prorektorët dhe Sekretarin e Përgjithshëm,  kanë vizituar disa nga sallat ku janë mbajtur provimet pranuese. Rektori Bajram Kosumi,  të gjithë kandidatëve u uroi suksese në provimin pranues.

Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan në studimet baçelor respektivisht në Fakultetin e Edukimit programi Fillor dhe Parashkollor, Fakultetin Juridik, Fakultetin Ekonomik në programet Banka Financa dhe Kontabilitet, programin Menaxhim dhe ndërmarrësi, Fakultetin e Shkencave Aplikative programi Matematikë Arsimore dhe Fakultetin e Shkencave Kompjuterike  do të regjistrojë 780 studentë të rregullt, ku përfshihen edhe studentë nga  Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi si dhe komunitetet jo-shumicë.

Derisa për studimet pasdiplomike – MASTER, për vitin akademik 2020/2021, Universiteti “Kadri Zeka”  do të regjistroj 100  studentë të rregullt, për programet  E-Qeverisja, program ky  i përbashkët mes Fakultetit të Shkencave Kompjuterike, Fakultetit  Juridik dhe  Fakultetit Ekonomik të Universitetit “Kadri Zeka”  dhe  programin Qeverisja Lokale dhe Shoqëria Demokratike, program i përbashkët me Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan, Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren dhe Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë.

Shpallja e rezultateve  preliminare të provimit pranues do të bëhet, më së voni, deri të martën datë 6 tetor 2020 në fakultetet përkatëse si dhe në ueb-faqen e universitetit.

Kandidatët të cilët nuk janë pranuar mund t’i paraqesin ankesë fakultetit përkatës më së largu 48 orë pas publikimit të rezultateve preliminare. Pas këtij afati, ankesat nuk do të pranohen.