Në Universitetin “Kadri Zeka” u mbajtën provimet pranuese për vitin e parë të studimeve baçelor, për vitin akademik 2022/2023

22 Korrik, 2022

Në të gjitha fakultete e Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan u mbajtën provimet pranuese për pranimin e studentëve të rinj të studimeve baçelor, për vitin akademik 2022/2023.

Për të parë nga afër këtë proces Menaxhmenti i Universiteti, Prorektorët, Sekretari i Përgjithshëm, drejtoresha e zyrës për Shkencë, Zhvillim Akademik dhe Cilësi, si dhe Kryetarja e Parlamentit Studentor, kanë vizituar sallat ku janë mbajtur provimet pranuese. Me këtë rast kanë përgëzuar aplikantët për zgjedhjen e UKZ-së për të vijuar rrugëtimin e tyre profesional dhe akademik, derisa kanë uruar të gjithë kandidatët për suksese në provimin pranues.

Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan në studimet baçelor respektivisht në Fakultetin e Edukimit programi Fillor dhe Parashkollor, Fakultetin Juridik, Fakultetin Ekonomik në programet Menaxhment dhe ndërmarrësi, Financë dhe Kontabilitet i Aplikuar dhe Fakultetin e Shkencave Kompjuterike do të regjistrojë 495 studentë të rregullt në studime baçelor, ku përfshihen edhe studentë nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi si dhe komunitetet jo-shumicë.

Shpallja e rezultateve preliminare nga provimi pranues do të bëhet në ueb-faqen e universitetit sipas grupeve të fakulteteve, bazuar në datat e mbajtjes së provimit pranues dhe atë më së voni deri më datë 25.07.2022, në ora 16:00.

Kandidatët të cilët sipas rezultatit preleminar renditen si kandidatë të papranuar, mund t’i paraqesin ankesë fakultetit përkatës më së largu 48 orë pas publikimit të rezultateve preliminare.
Shqyrtimi i ankesave bëhet më 28.07.2022 në orën 10.00 nga Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave nga fakulteti përkatës .

Shpallja e rezultateve përfundimtare të provimit pranues do të bëhet në uebfaqen e universitetit, pas shqyrtimit të ankesave sipas grupeve të fakulteteve, bazuar në datat e mbajtjes së provimit pranues dhe atë më së voni deri më datë 29.07.2022, deri në orën 16:00.