Njoftim-ndërpritet procesi mësimor deri më 27 mars 2020 si masë mbrojtëse ndaj Koronavirusit

11 Mars, 2020

Të nderuar,

njoftoheni se sipas vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës,  ndërpritet procesi mësimor prej 12  deri më 27 mars 2020, si masë mbrojtëse ndaj COVID-19 (Koronavirusi i ri 2019), dhe mënyrës së parandalimit të infeksionit me SARS-CoV-2.

Masat e Qeverisë së Kosovës që janë ndërmarrë për tu mbrojtur nga Koronavirusi janë:

1. Ndërprerja e procesit edukativo arsimor në institucioneve arsimore publike dhe private në të gjitha nivelet nga 12 mars deri më 27 mars 2020. Me rekomandim që të lirohet njëri prind nga puna (kjo masë nuk vlen për punëtorët shëndetësor dhe për punëtorët në sektorin e sigurisë);

2. Pezullimi i përkohshëm i linjave të udhëtimit ajror dhe tokësor nga vendet me risk të lartë dhe të mesëm (deri në një vendim tjetër);

3. Kontroll i obliguar i udhtarëve nga ekipet mjekësore të QKMF-ve në të gjitha hyrje daljet e Kosovës me mbështetjen e Policisë së Kosovës të të gjithë qytetarëve që vijnë nga zonat epidemike, për detektimin e rasteve me COVID-19 dhe ndërmarrjen e masave parandaluese;

4. Vetëkarantinim i detyruar për të gjithë qytetarët që hyjnë në Republikën e Kosovës nga zonat epidemike me rrezik të lartë dhe të mesëm, në përputhje me udhëzimet e OBSH-së (moszbatimi i dënueshëm sipas Ligjit për Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse). Në rast se personat e caktuar nuk mund të vetëkarantinohen rekomandohen të vendosen në karantinat e përbashkëta të caktuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës;

5. Aktivitetet publike dhe jopublike mund të zhvillohen të mbyllura/pa praninë e publikut si: ngjarje/tubime sportive, tubime, koncerte, konferenca, tryeza të rrumbullakëta deri në një vendim tjetër;

6. Të ndalohet veprimtaria e restoranteve, klubeve të natës, palestrave, pishinave pas orës 23:00;

7. Të ndalohet eksporti i pajisjeve, materialeve dhe medikamenteve mjekësore nga ana e operatorëve ekonomik dhe prodhuesve, përveç me Vendim të Qeverisë;

8. Të gjitha institucionet qeveritare, si dhe ndërmarrjet publike dhe private detyrohen të ndërmarrin masa për mbrojtje dhe dezinfektim në të gjitha institucionet sipas udhëzimeve nga Ministria e Shëndetësisë, të cilat kanë të bëjnë me masat e përforcuara higjienike.

9. Të gjitha ndërmarrjet publike dhe kompanitë private që kryejnë transport publik të udhëtarëve, obligohen të bëjnë dezinfektim të rregullt të mjeteve transportuese.

10. Të ndalohet transporti i organizuar ndërkombëtar (autobus, minibus dhe të ngjashme) drejt vendeve me rrezik të lartë dhe anasjelltas.

11. Personat fizik dhe juridik të cilët nuk i respektojnë dhe i shkelin rekomandimet do të ndëshkohen në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Varësisht nga zhvillimet e situatës Vendimet mund të plotësohen dhe ndryshohen në kohë reale dhe do të njoftohen qytetarët e Republikës së Kosovës.