Përfaqësues nga Universiteti UEHS nga Varshava e Polonisë kanë qëndruar në një vizitë zyrtare në UKZ

16 Maj, 2022

Në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan kanë qëndruar në një vizitë zyrtare përfaqësues nga University of Economics and Human Sciences nga Varshava e Polonisë,  Prof. Anna Llanos-Antczak, Prorektore për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Ms. Ahd Bahar, Drejtore  e zyrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar.

Ato janë pritur në takim fillimisht nga Rektori Prof. Dr, Bajram Kosumi, Prorektorët, Sekretari i Përgjithshëm dhe nga përfaqësues të zyrës për Marrëdhënieje me Jashtë, të cilët i kanë informuar mysafirët rreth funksionimit, zhvillimit dhe punës në Universitet.

Më pas është mbajtur një takim me Dekanët, atë të Fakultetit Ekonomik dhe të Shkencave Kompjuterike, për të vazhduar më pas me takimin e radhës me disa studentë të UKZ-së.

Gjatë këtij takimi janë prezantuar mundësitë e studimit për studentët tanë, në programe të përbashkëta në Universitetin partner nga Polonia.

Kjo vizitë është realizuar si rrjedhojë e nënshkrimit të Marrëveshjes për Bashkëpunim Ndërinstitucional dhe gjithashtu Marrëveshjes për “Double Diploma Programs” me Universitetin Economics and Human Sciences nga Varshava e Polonisë.

Synimi i marrëveshjes për “Double Diploma Programs” është zbatimi i një diplome të dyfishtë për programet e studimit në nivelin Bachelor në programin Menaxhment dhe për studentët e  Shkenca Kompjuterike, por marrëveshja në fjalë mund të shtrihet edhe në programe të tjera përmes anekseve të përshtatshme në pajtueshmëri nga të dyja palët.